English

Berisha ngushëllon Obamën: Mesazhet e Holbrooke do të mbeten të gjalla për shqiptarët

Tiranë, 14 dhjetor, NOA – Një ditë pas ndarjes nga jeta në moshën 69 vjeçare të ambasadorit dhe personalitetit amerikan, të cilit i atribuohet edhe një pjesë e kontributit për lirinë dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Richard Holbrooke, Kryeministri Sali Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. “I dashur zoti President, ndarja nga jeta e të dërguarit Tuaj të posaçëm në Afganistan dhe Pakistan, diplomatit të shquar amerikan, por edhe mikut të çmuar të Shqipërisë e të kombit shqiptar, Ambasadorit Richard Holbrooke, ishte një lajm shumë i hidhur, jo vetëm për bashkëshorten dhe familjen e tij, për Ju, për qeverinë Tuaj dhe kombin amerikan, por edhe për të gjithë miqtë e tij të shumtë, anembanë botës”, e nis mesazhin e tij të ngushëllimit kryeministri Berisha.

Më tej zoti Berisha shkruan se ndarja para kohe nga jeta e Richard Holbrooke ka pikëlluar thellë, po edhe i ka lënë krenarë të gjithë ata që patën fatin të njohin nga afër personalitetin dhe cilësitë e tij të rralla.

“Në memorien time dhe të kombit tim, Ambasadori Richard Holbrooke, kontributi i jashtëzakonshëm që ai dha si i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Clinton për Ballkanin, do të mbeten përgjithmonë të gjalla dhe do të nderohen gjithnjë me mirënjohje të thellë”, vijon më tej mesazhi i kryeministrit Berisha.

Shefi i qeverisë thekson në fund të mesazhit të tij se “Në këtë çast dhimbjeje e hidhërimi të thellë për Ju, zoti President, për qeverinë Tuaj, për bashkëshorten e familjen Holbrooke, më lejoni t’Ju shpreh, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe t’u bashkohem lutjeve Tuaja që, shpirti i njërit prej yjeve më të shndritshëm, personaliteteve më të shquara të diplomacisë së vendit tuaj, mikut të madh të shqiptarëve, Ambasadorit Richard Holbrooke, të gjejë paqen e merituar”, vlerësoi kryeministri Berisha.

Ish i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin, Richard Holbrooke u nda nga jeta dje pasdite në spitalin e Universitetit Xhorxh Uashington në Uashington në kryeqytetin e SHBA-ve, Uashington.

Richard Holbrooke para dy ditësh gjatë një takimi me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton pësoi një goditje kardiake, si pasojë e çarjes së aortës së zemrës, dhe pasi iu nënshtrua një operacioni urgjent disaorësh nuk mundi dot t’i shpëtojë vdekjes.

mit/NOA
KOMENTE