Shkup, 14 dhjetor, NOA – Në Shkup zhvillohet nesër takimi i Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (A5), në kuadër të kryesisë maqedonase të Kartës së Adriatikut, ku po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto. Gjatë samitit vendet anëtare të iniciativës A5-SHBA do të diskutojnë mbi perspektivën e integrimit euroatlantik të Evropës Juglindore pas Samitit të NATO-s në Lisbonë dhe vazhdimin e angazhimit dhe kontributet e vendeve të Kartës së Adriatikut për Sigurinë dhe stabilitetin në Afganistan.
Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës dhe zyrtarë të lartë të SHBA-ve.
Gjithashtu do të marrë pjesë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme (u.d.) e Kosovës.
Në përfundim të samitit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut do të miratojnë edhe një deklaratë finale.
Gjatë vizitës së tij, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto do të zhvillojë takime me homologët e tij dhe me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni.
mit/NOA