English

Hyri në fuqi vendimi i BE për heqjen e vizave, shqiptarët tani mund të lëvizin të lirë

Ja pikat kufitare nga mund të kalojmë dhe detajet

Tiranë, 15 Dhjetor 2010 NOA/Update – Ka hyrë në fuqi, në çastet e para të ditës së sotme, datë 15 dhjetor 2010, vendimi i Parlamentit Evropian dhe Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së Bashkimit Evropian, për heqjen e regjimit të vizave afatshkurtra për shtetasit e Republikës së Shqipërisë.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, në përpjekje për të qenë e dobishme për qytetarët, po ju sjell informacion të bollshëm lidhur me këtë ngjarje të madhe për shqiptarët dhe shoqëron raportimet e saj me këshilla të vlefshme.

Gjatë orëve në vazhdim, intensivisht, NOA do t'ju informojë përmes bashkëpunëtorëve dhe të dërguarve të saj, mbi zhvillimet më të fundit nga vendkalime të ndryshme kufitare.

Vizat hiqen por kushte ende ka

Të gjithë shtetasit shqiptarë të cilët posedojnë një pasaportë biometrike, tani e tutje janë të lirë të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian lirisht, për një periudhë tre mujore brenda hapësirës gjashtë mujore, pasi duke nisur nga sekondat e para të datës 15 Dhjetor hyri në fuqi vendimi i marrë nga Bashkimi Evropian për të hequr barrierën e vizave afatshkurtra për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë të cilët disponojnë një pasaportë biometrike.

Bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes për motive turizmi, apo tregtie, por ky qëndrim nuk mund të jetë më shumë se tre muaj për një periudhe gjashtë mujore. Pra, kjo përjashton qëndrimin e gjatë në vendet e zonës “Shengen” dhe njëkohësisht qëndrimin për motive pune apo azil politik. Ndërkohë, kontrollet në vendkalimet kufitare, do të vazhdojnë sikundër edhe më parë.

Ekspertët vlerësojnë se heqja e vizave është një mundësi e shkëlqyer për shkëmbime tregtare, turizëm, apo vizita familjare, por nuk të jep të drejtën për t’u transferuar dhe për të jetuar në një shtet të zonës “Shengen”.

Çfarë ndryshon

Tashmë, doganierët dhe kontrollorët në palën shqiptare dhe atë të vendeve të BE apo zonës “Shengen” në tërësi, do t’ju bëjnë si kërkesë themelore jo vizën brenda pasaportës ndërkombëtare, por pasaportën ndërkombëtare biometrike.

Duke qenë se për qytetarët shqiptarë bëhet fjalë për një qëndrim deri tremujor për çdo gjashtë muaj, mund të bëhen kërkesa opsionale, në mënyrë të personalizuar për udhëtarë të ndryshëm, konform udhëzimeve të shpërndara nga secili shtet për pikat e tyre kufitare.

Kështu në kontrollin kufitar ju mund t’ju kërkohet një kartë krediti e cila për hir të së vërtetës u mbyll gojën shpejt dhe pa fjalë të shumta kufitarëve të huaj.

Kurse opsionale janë kërkesat e tyre ndaj shtetasve shqiptarë, për shkresurina të tilla burokratike, si bileta e kthimit, adresa e vendbanimit të personit që vizitohet nga udhëtarët, apo destinacioni i përafërt në vendet e “Shengen”-it që do të vizitojnë udhëtarët shqiptarë.

Po ashtu një kërkesë thuajse e përhershme rutinë e kufitarëve të huaj do të jetë se sa ditë do të jetë qëndrimi i juaj në vendet e zonës Shengen. Përgjigjja juaj ndonëse mund të jetë apriori, konsiderohet e mirëqenë nga kontrollori kufitar por e rëndësishme është që të mos shkelen afatet 3 mujore të qëndrimit në harkun kohor prej gjashtë muajsh, pasi rrezikohen penalitete individuale.

Këshillë vlefshme në këto raste është që qytetarët shqiptarë, të mbajnë me vete të gjitha elementet që mund të provojnë, që qëllimi është për të qëndruar për një periudhë afatshkurtër pra brenda limiteve kohore të sipërpërmendura.

Nga ana tjetër ka qytetarë që duan të mësojnë, nëse duhet të kenë lekë (euro) me vete, apo do të mjaftonte një kartë krediti?

Michele Cercone, zëdhënës i Komisionit Evropian pohon se edhe kjo varet nga kontrolli i personalizuar për çdo individ pasi kontrollori kufitar ka hapësirë relative për të krijuar dyshime të besueshme që mund ta lejojnë atë që të mos pranojë hyrjen në vendin ku është kërkuar të kalohet.

“Më mirë, të kesh gjithnjë me vete shumicën e dokumenteve, provave, rezervimeve të hotelit, në rastin e atyre që kanë rezervuar, si dhe biletën e kthimit, në mënyrë që nëse ka kontrolle të tilla, atëherë të mos ketë probleme”, - thotë z.Cercone.

Kujtojmë këtu faktin se të gjitha vizat që jepen nga vendet e BE apo dhe SHBA, gjithmonë qartësojnë se “viza nuk presupozon domosdoshmërisht se është i arritur kalimi i kufirit”, por asnjëherë nuk janë raportuar raste të pengimit të personave në kufi me viza të rregullta, ndaj gjasat janë që kështu të ndodhë edhe tani që u hoqën vizat.

Duke q enë se nuk ka rregulla precize, kontrollet mund të bëhen rast për rast dhe të lidhen me situatën personale të çdo shtetasi.

r.b/NOA

Shënim i NOA: Të nderuar lexues, për çdo pyetje apo paqartësi që mund të keni lidhur me heqjen e vizave dhe çdo ankesë apo konstatim lidhur me zbatimin e regjimit pa viza, mund të na shkruani në email noa@noa.al, ose mund të na dërgoni SMS apo MMS në numrin e telefonit +35568 42 73 73 7.

Më poshtë gjendet i detajuar, minimumi financiar për qarkullim tremujor në zonën “Shengen”, për shtetet kryesore që ju mund të vizitoni:

Itali

Nga 1 në 5 ditë:

Një person: 269 euro

Dy ose më shumë persona: 212,81 euro

Nga 6 deri në 10 ditë

Një person: 44, 93 euro

Dy ose më shumë persona: 26,33 euro

Për 11 deri në 20 ditë:

Një person:

Shuma fikse: 51,64 euro + 36,67 në ditë

Dy ose më shumë persona:

Shuma fikse: 25,82 euro + 22,21 në ditë

Më shumë se 20 ditë:

Një person:

Shuma fikse: 206,58 euro + 27,89 në ditë

Dy ose më shumë persona:

Shuma fikse: 118,79 euro + 17,04 në ditë

Greqi

20 euro në ditë

Gjermani

45 euro në ditë

Belgjikë

38 euro në ditë për ata që s’kanë kartë krediti

Francë

52,60 euro në ditë

Holandë

34 euro në ditë

Zvicër

100 CHF në ditë

studentët (30 CHF) në ditë

Austri

E papërcaktuar

Qipro

E papërcaktuar

Danimarkë

60 euro në ditë

Spanjë

63, 20 euro në ditë

Finlandë

30 euro në ditë

Hungari

1000 HUF

Islandë

4000 ISK

Letoni

60 LVL në ditë

Lituani

15LVL në ditë

Luksemburg

( e papërcaktuar)

Maltë

20MTL (48 euro në ditë)

Norvegji

500 NOK/ditë për ata që s’shkojnë te familjarë)

Poloni

500 PLN

Portugali

75 euro për hyrje

40 euro në ditë

Sllovaki

E papërcaktuar

Slloveni

70 euro në ditë (për ata që s’shkojnë te familjarët)

Suedi

E papërcaktuar

Republika Çeke

0,5 herë minimumin e nevojave personale në ditë (sipas legjislacionit) për më pak se 30 ditë

KOMENTE