Shkodër, 14 dhjetor, NOA – Pas plot dy javësh kur mijëra sipërfaqe toke të zonës së Nënshkdrës dhe lagje të kryeqendrës së veriut u pushtuan nga prurjet e pashembullta të lumenjve dhe shkarkimet nga tre HEC-et në veri të vendit, sot është nënshkruar edhe marrëveshja për thellimin e lumit Buna, që parashikon ndërhyrjen në shtratin e këtij lumi, pastrimin e tij nga mbeturinat e urave të shkatërruara, anijeve të mbytura, makinave, mbetjeve drusore. Marrëveshja dypalëshe Shqipëri-Mali i Zi u nënshkrua sot në Shkodër nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe homologu i tij malazez, Milutin Simoviç. Marrëveshja do të bëjë të mundur pastrimin e shtratit të Bunës për të shpeshtuar rrjedhshmërinë e tij, thellimin e lumit, zgjerimin, rehabilitimin e shtratit të tij, si dhe pastrimin e grykëderdhjes së tij për në det dhe riparimin e kuotave të argjinaturës. Duke folur për përmbytjet që pllakosën jo vetëm në Shkodër por, edhe përtej kufirit në Mal të Zi, ministri malazez theksoi se si Shqipëria edhe Mali i Zi kanë përjetuar situata të vështira nga përmbytjet.
Në këtë kontekst tha ministri i Mjedisit të Malit të Zi, ne jemi të gatshëm për realizimin e këtyre projekteve, që në fakt kërkojnë kohë, që do të na mbrojnë nga rreziku i përmbytjeve në të ardhmen.
Sipas ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu projektet do të jenë të përbashkëta dhe çdo ndërhyrje në Bunë do të bëhet me miratimin e të dyja palëve.
Dy javë pas përmbytjeve në Shkodër, uji është tërhequr nga duke bërë që nga mbi 14 mijë ha tokë e pushtuar nga uji në krye të herës, tashmë të jenë nën ujë 10 800 ha tokë, si dhe 1200 shtëpi të rrethuara nga uji.
mit/NOA