English

Ora 00.00

Caku 00.00 është, jo veçmas pragu fizik i një ndryshimi, gjithë po aq mbart në vetvete zanafillën e një identiteti të mohuar. Golgota e lirisë, ishte një nga sakrificat më të mundimshme dhe më ngadhënjyese për shqiptarët, të cilët megjithëse simbolizoheshin me shqiponjën, atyre ju ishin thyer qiejt dhe kreshtat, e bashkë më të dhe krenaria e këtij shpendi

Nga Edison Kurani

Ndërsa njerëzimi numëron mbrapsht ditët që na ndajnë nga viti 2011, shqiptarët po numërojnë orët e çeljes së qiejve, minutat e shpërbërjes së gardheve, sekondat e fillimit të lirisë. Në këto orë të fundit të dasive dhe përbuzjes, përçmimit dhe nëpërkëmbjes, persekucionit dhe botës së mrekullisë virtuale diktatoriale, mbetet për të gjithë ne obligues nderimi dhe respekti për ata që u sakrifikuan për lirinë. Mbrëmja e sotme nuk do të jetë si gjithë të tjerat për këto 56 vite të kalvarit dhe ngjizjes së historisë së Shqipërise. Përpos ngasjes që nata do t’i lërë vendin një dite të re, në orën 00.00, ajo do të sjellë atë që mbarë shqiptarët e kanë pritur me aq shumë dëshirë: Heqjen e barrierës së frikshme të lëvizjes së lirë. Në këtë orë dhe të tjerat më pas, nuk do të ketë më ndalje për çdo shqiptar që ka një pasaportë biometrike, për të lëvizur kudo në Evropë, pa u ndeshur si deri sot, me njëmijë e një pengesa, që me aq “dashuri”, mbarë konsullatat e huaja “dhuronin” për ne sa herë që do të donim të lëviznim lirisht. Hapi dhe fluturimi ynë nuk do të ketë më cak. Liria, sot do të shpërthejë nga kraharori i dëshirave dhe do të pushtojë universin e mundësive. Evropa do të dalë nga ëndrrat dhe do të shuajë etjen zhuritëse të vërshimit të lirisë. Maratonomaku ynë do të kaplojë gjithkah kontinentin plak për të dërguar lajmin e fitores, për të kumtuar njëherazi triumfin mbi të shkuarën, mbi lëngimin dhe plagën, mbi vajin dhe elegjitë, mbi sakrificat dhe privimin.

E pra, kjo është një fitore më shumë se e madhe. Është ai sublimim me të cilin ne duhet ta endem përkrenaren e këtij mbretërimi, në ceremoninë e kurorëzimit të lirisë. Sepse e drejta e lëvizjes së lirë, e sanksionuar me Kushtetutë dhe e përqafuar nga konventat ndërkombëtare, tani merr një kuptim të ri, atë që në fakt duhet të kishte në vite: Lëvizje Vërtet e Lirë. Bashkë me të liria merr kuptimin e saj të plotë, rrok me krahët e saj të pamatë gjithë ëndrrat dhe dëshirat tona.

Ndaj duhet të festojmë, të gjithë, pa asnjë dallim politik, sepse kjo është dita e parë e lirisë që ne e meritojmë. Është dita e parë e lirisë së vërtetë, për këdo që do të ndjehet i lirë. E drejta jonë për t’u përfshirë nga ky gazmend është kumtimi që ne i bëjmë një force të brendshme, një shtyse të qenësishme të vetëdijes sonë kombëtare.

Ora 0.00 që po troket, është jo vetëm një ditë shumë e shënuar festive, dhe jo vetëm. Ajo do të jetë një ditë që do të shohim qartë e më qartë, larg e më larg. Kjo orë që po troket, na çon larg në këto më shumë se pesë dekada izolimi shkallë-shkallë. Një izolim që gjithkush prej nesh e përjetoi. E shumë prej nesh, e vuajtën.

Ora 0.00 është një homazh për shumë familje shqiptare që edhe sot, vuajnë ngjarje të frikshme që lidhen pikërisht me këtë orë, orën e lirisë së madhe. Pranga dhe zinxhirë do të thyhen, sot. Mure dhe gardhe do të shemben.

Mjafton të hedhësh sytë përreth e të jesh sadopak i vëmendshëm për të kujtuar ato çka ka hequr populli ynë në gjithë këto vite.

Ca më shumë ne, gazetarët që në të paktën gjysmën e dy dekadave të fundit, fatkeqësisht nuk kemi reshtur së u furnizuari me lajme të trishta të mungesës së orës 00.00.

Ndaj sot, në orën 00.00, para se të shkelim tokën evropiane dhe të ndjehemi vërtet të lirë, duhet të sjellim në mend me respekt dhe dhimbje, të gjithë ata që sot nuk janë më. Dhe janë vërtet shumë. Janë shumë djem nga e gjithë Shqipëria, që në përpjekje për një jetë më të mirë, humbën jetën maleve që rrethojnë vendin tonë me Greqinë.

Ca më shumë ata që dergjen deteve, të zhdukur pa nam e nishan nga një vorbull e tmerrshme fati të keq që i zuri sa në gomone e sa në anije, me fëmijë në gji apo me njeriun e zemrës në krah, duke i shuar në fund të detit, vetëm pak minuta larg ëndrrës së flakur pamëshirshëm nga dallgët e trazuara ca nga natyra e ca nga ata, antiklandestinët në detyrë.

Shumë prindër, baballarë, nëna, por edhe fëmijë deri të sapolindur, që në dallgët e një fati të pacaktuar, duke paguar shpesh, vetë fundin e tyre tragjik, u bënë “mish për top” të asaj që sot, për disa njerëz mund të duket thjesht një 15 dhjetor që hapen kufijtë.

Nuk duhet të harrojmë sigurisht, eksodet e panumërta të këtyre 20 viteve të fundit, por as kurbetin po ashtu klandestin, të 46 viteve të mëhershme.

Ata ishin dhe janë heronjtë që sot në orën 00.00 nuk janë më. Pasi ishin të padurimtë për të realizuar ëndrrën e tyre. Por dhe të pashpresë se dikur do të mundnin të ishin si gjithë të tjerët e kësaj Evrope ku gjeografikisht jemi dhe ne.

Kjo orë që po afron, është homazh për të gjithë ata që donin me mall të zhuritur, të ishin pranë të shtrenjtëve të tyre. Dikush, për të parë më në fund djalin që kishte vite që s’dinte si kishte ndryshuar nga fëmijë i ikur, dikush për t’u bashkuar me prindërit, e sa e sa raste të tjera si këto.

Caku 00.00 është, jo veçmas pragu fizik i një ndryshimi, gjithë po aq mbart në vetvete zanafillën e një identiteti të mohuar. Golgota e lirisë, ishte një nga sakrificat më të mundimshme dhe më ngadhënjyese për shqiptarët, të cilët megjithëse simbolizoheshin me shqiponjën, atyre ju ishin thyer qiejt dhe kreshtat, e bashkë më të dhe krenaria e këtij shpendi. Liria dhe krenaria ishin ato të krahëve të thyer, sqepave pa këngë dhe syve pa dritë. Nga tash një tjetër ditë, një tjetër dritë, një tjetër shpresë vjen si liri ndryshe, si liri e përplotësuar, si liri e himnizuar, si një jetë që lind nga shpirtrat dhe dëshirat e flijuara, zjarret e shuara që rivjen nga hiri i memorie dhe dhimbjes.

Gjithsesi, sot, në orën 00.00, le të hedhim pas gjithë të këqijat që kemi përjetuar, kurrsesi për t’i harruar, por le të ecim përpara, për të bërë pikërisht atë që do të donin ata që nuk janë më, të festojmë këtë fillim të ri që meritojmë.

*Kryeredaktor, “Koha Jonë”

KOMENTE