English

Portali konkurrues "Openleaks", ish-punonjësi i WikiLeaks-it hap platformë të re zbulimi

Portali i zbulimeve "Wikileaks" do të ketë së shpejti një konkurent. "Openleaks" quhet platforma e re në internet. Nismëtar i saj është gjermani Daniel Domscheid-Berg, dikur shok me Julian Assange të Wikileaks-it.

Kush kërkon sot në internet me emrin Daniel Domscheid -Berg, merr në sekondë disa mijëra artikuj. Në disa prej tyre thuhet se ai është në sherr me portalin e zbulimeve‚ Wikileaks.

Domscheid-Berg nuk e përdor fjalën "sherr", por flet për "diferenca" lidhur me drejtimet. Dhe me gjithë kritikën ndaj kultit të personit të themeluesit të "Wikileaks-it" Julian Assange, ai nënvizon meritat e ish shokut të tij nga Australia: "Bëhet fjalë për debatin çfarë duhet mbajtur sekret në përgjithësi.

Çfarë ndodh pas skenave, kur ngrihet perdja? Wikileaks e transportoi këtë debat në dhomat e ndenjes të gjithë botës. Sot për këtë gjë flasin edhe njerëz që nuk kanë patur kurrë interes për një gjë të tillë. Ata konfrontohen vazhdimisht me këtë gjë."

Por ajo që nuk i pëlqen fare Domscheid-Berg-ut duket se është pozicioni monopolist që ka marrë‚ Wikileaks si portal zbulimesh. Me themelimin e portalit të vet me emrin Openleaks, berlinezi kërkon të sjellë në skenë më shumë kualitet dhe kuantitet, pa iu dashur të ndahet nga ideja fillestare:

"Unë mendoj se nuk është keq, që të bëhen sa më shumë publikime me sa më pak filtrim. E megjithatë gjithnjë kur bëhet fjalë për informacione eksplozive, ekziston problematika që duhen marrë në konsideratë edhe gjëra të tjera. Dhe ne besojmë se do të ishte më mirë që në këtë proces të marrin pjesë më shumë njerëz me përvojë."

Në këto fjali fshihet një kritikë e padhënë kundër themeluesit të ‚Wikileaks-it, Assange. Dokumentat sekrete të publikuara kohët e fundit nga SHBA dhe vendet e tjera, shpalosin efektin e tyre edhe nëpërmjet bashkëpunimit ekskluziv me mediat me ndikim si për shembull "Der Spiegel" në Gjermani ose ‚Oberserver‘ në Britaninë e Madhe.

Domscheid-Berg preferon për portalin e tij një model tjetër. Njerëz që kanë interes të publikojnë informacione eksplozive në mënyrë anonime, duhet të vendosin vetë se kush duhet ta marrë këtë funksion. Këtë funksion mund ta marrin mediat klasike, por edhe organizatat joqeveritare: "Për shembull ‚Greenpeace‘, ‚Foodwatch‘ – gjithë organizatat që për shembull merren me kontrollin e pavarur të industrisë. Edhe sindikatat kanë me siguri nevojë për të bërë publikime të tilla. Me projektin tonë ne përpiqemi të arrijmë bazën, në mënyrë që në të ardhmen të ketë më shumë faqe të tilla".

Aspekt i rëndësishëm në portalin zbulues të Domscheid-Berg-ut është i ashtuquajturi "kuti postare sekrete", citon radio Dojçe Vele.

Ai duhet të vihet në dispozicion të atyre që duan të publikojnë materiale eksplozive, pa patur rrezikun e zbulimit se kush janë. Deri tani, informatorët sekretë kanë nisur postë direkte nëpër redaksi ose janë takuar me një gazetar: "E gjithë kjo ka relativisht vështirësitë e veta. Ata duhet të fitojnë besimin për të folur me dikë. Ata duhet të vrasin mbase mendjen gjithë natës, nëse do të shkojnë të nesërmen në postë për të nisur diçka. Ata kanë kohë të mendojnë gjithë natën, nëse kanë apo jo guximin ta bëjnë një gjë të tillë. Kurse interneti ofron shanse krejt të tjera”.

Portali "Openleaks" i Domscheid-Berg-ut nuk mund të funksionojë pa pagesë. Megjithatë ai beson se e ka gjetur rrugën për të mbështetur financiarisht projektin e tij: "Ekzistojnë mundësi për ta mbajtur portalin nëpërmjet donacioneve. Dhe ne shpresojmë, që nëpërmjet përvojës edhe me "Wikileaks‘-in, publiku ta kuptojë pse është e rëndësishme që ta decentralizosh dhe pastaj ta përkrahësh një projekt të tillë. Modeli ideal që mendojmë ne është një i ashtuquajturi community- model. Dhe aktualisht ne kemi planifikuar kosto prej rreth 400 eurosh në muaj. Sipas mendimit tim kjo është një shumë e papërfillshme për çdo organizatë, që funskionon në rregull financiarisht."

Në skenën virtuale, shanset që ekzistojnë për Openleaks vlerësohen në mënyra të ndryshme. Përkrahësit e një modeli konkurues për Wikileaks kanë përballë skeptikët. Ata akuzojnë Daniel Domscheid-Berg-un për naivitet, sepse nuk kupton që informacionet kanë qenë gjithnjë mall për të cilin ekziston gjithnjë një blerës. Në fund do të ndodhë që informacionin do e marrë ai, që paguan më shumë, siç ndodh shpesh në këso rastesh. Ndonjë tjetër shkon deri aty sa ta quajë braktisësin e "Wikileaks"-it njësoj si Julian Assange, që ta konsiderojnë veten më të rëndësishëm se sa çështjen.

KOMENTE