Tiranë, 14 dhjetor, NOA - Reshjet e borës që kanë nisur prej disa ditës në pjesë të ndryshme të vendit kanë sjellë probleme në disa rrugë. Më problematike situata paraqitet në zonën veriore dhe lindore të vendit. Disa rrugë në qarkun e Kukësit dhe Korçës, si dhe disa rrugë në rrethin e Librazhdit kalohen me vështirësi për automjetet.
Policia Rrugore këshillon kalimin e këtyre akseve me zinxhirë. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njofton se situata në akset rrugore paraqitet si më poshtë:
Ka patur reshje dëbore në Qaf Mali, Fushë-Arrëz e Pukë. Është punuar gjatë gjithë natës dhe vazhdon puna për të patur një trafik normal. Qarkullimi i mjeteve kryhet pa probleme.
Në aksin rrugor Qafë Mali - Kukës, në Qaf Shllak, lëvizja e mjeteve kryhet pa probleme. Është punuar gjatë gjithë kohës me mjete borëpastruese dhe kripë e skorje.
Në aksin rrugor Kukës - Shishtavec në 10 km e fundit, nga Topojani - Shishtavec ka prezencë akulli, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Punohet vazhdimisht për mbajtjen nën kontroll të situatës.
Në të gjitha akset rrugore të Rajonit të Korçës janë marrë masat për të siguruar një qarkullim të mjeteve pa probleme.
Në zona të veçanta vazhdon hedhja e kripës.
Në aksin nacional Bulqizë - Peshkopi, segmenti Qafë Dushk - Qafë Bualli – Ura e Cerenecit, qarkullimi kryhet me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit.
Segmenti rrugor Qafë Dragalica - Stebleve në aksin Ura e Cerenecit - Stebleve, është bllokuar për shkak të dëborës.
Aksi rrugor Peshkopi - Ura e Skurajve qarkullimi kryhet me zinxhirë nga prezenca e akullit në rrugë.
Në aksin rrugor Librazhd - Steblevë qarkullimi kryhet me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit. Në aksin Kthesë Labinot Fushë - Monument Bize qarkullimi kryhet me zinxhirë deri në Qafë Renc, ndërsa pjesa tjetër është e bllokuar për shkak të reshjeve të shumta të dëborës. Po punohet për normalizimin e situatës.
Ministria e Brendshme informon se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Rrugore si dhe me firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë në terren me mjete borëpastruese, fadroma si dhe duke përdorur kripë dhe skorje për normalizimin e gjendjes.
a.k/NOA