Vlorë, 14 dhjetor, NOA/ Irma Toptani – Pas pushtimit të qarkut të Shkodrës nga uji dhe përmirësimit të situatës së përmbytjeve në këtë qytet ku mijëra banorë të evakuuar janë kthyer tashmë në shtëpitë e përmbytura pas dorëzimit të ujit nga shtëpitë e tyre dhe disa zona përreth, tashmë tërë vendi është nën darën e ngricës dhe të reshjeve të borës që po bllokojnë nyje kryesore për qarkullimin në rrugët e vendit. Gjatë pasdites nga reshjet e vazhdueshme të borës është bllokuar qarkullimi prej disa orësh në qafën e Llogarasë një nyjë kyç kjo për qarkullimin për në jug të vendit e anasjelltas.
Korrespondenti i agjencisë NOA thotë se makina të tëra janë bllokuar për mëse tri orë nga reshjet e borës, në pritje të ndihmës nga policia dhe mjeteve të rënda borëpastruese.
Më herët Ministria e Punëve Publike, dhe e Transportit informoi se akse të ndryshme rrugore në vend janë problematikë si pasojë e borës, duke garantuar se specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Rrugore janë në terren për të normalizuar situatën kritike në rrugët e vendit.
Në zonën e Kukësit dhe Pukës dy zona në veri të vendit që çdo vit përjetojnë bllokimin e tyre nga dëbora janë mbuluar nga reshjet e borës, dhe në Qafë Mali, Fushë Arrëz dhe Pukë po punohet me mjete borëpastruese për të mos penguar trafikun e makinave.
Në aksin rrugor Qafë Mali – Kukës, në Qaf Shllak, lëvizja e mjeteve kryhet pa probleme, pasi po punohet me mjete borëpastruese dhe kripë e skorje.
Ndërsa, aksi rrugor Kukës – Shishtavec, 10 km nga nga Topojani në Shishtavec është e mbuluar nga akulli, dhe këtu qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë.
Në qytetin e Korçës në të gjitha akset rrugore të zonës vazhdon hedhja e kripës me qëllim që makinat të mos rrëshqasin nga bora.
Në Peshkopi në aksin nacional Bulqizë – Peshkopi, segmenti Qafë Dushk – Qafë Bualli – Ura e Cerenecit, qarkullimi kryhet me zinxhirë pasi rruga është tërësisht nën prezencën e akullit.
Ndërsa segmenti rrugor Qafë Dragalica – Steblevë në aksin Ura e Cerenecit – Steblevë, është bllokuar për shkak të dëborës, kurse në aksin rrugor Peshkopi – Ura e Skurajve qarkullimi kryhet me zinxhirë nga prezenca e akullit në rrugë.
Edhe në aksin rrugor Librazhd – Steblevë qarkullimi kryhet me zinxhirë për shkak të ngrirjes së akullit në rrugë, ndërsa në segmentin Labinot Fushë – Monument Bizë qarkullimi kryhet me zinxhirë deri në Qafë Renc, dhe rruga në vijim është e bllokuar prej reshjeve të dendura të dëborës.
Por, bora e parë ra edhe sot në kryeqytet, ndërkohë që meteorologët parashikojnë edhe reshje të tjera dëborë në të ardhmen në Tiranë.