“Presim se do të kemi më shumë hapësirë në Qeveri, por më shumë se kaq kush do të jetë në krye të atyre ministrive”, është shprehur për gazetën serbe “Politika” Petroviç.
Serbët, ka thënë ai, do të kenë mundësi madje të zgjedhin ndonjë nga ministritë.
“Nuk dua të spekuloj për këtë, por jam i sigurt se këso here do të kemi mundësi ta zgjedhim ndonjë nga ministritë. Kemi përvojë, meqë në legjislaturën e kaluar trevjeçare kemi pasur mjaft pozicione për të cilat nuk kemi pasur njerëz t’i mbulojmë... Më shumë do të vija theksin se cilën nga ministritë ta marrim, sesa sa sosh do t’i kemi në dispozicion. Kështu ka hapësirë për negocim”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se ky sukses nuk i përket vetëm SLS-së por gjithë komunitetit serb “që ia dolëm ta kapërcejmë numrin e dhjetë deputetëve”, por sa do të jenë gjithsej do të varet nga përqindja e daljes në votime të serbëve në gjithë Kosovën.
“Sa i përket komunitetit serb, do të kemi pozicion më të mirë meqë ia kemi dalë të motivojmë një përqindje të lartë të bashkësisë sonë që të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai dhe ka shtuar se cilësia më e madhe e këtyre zgjedhjeve është ai se komuniteti serb do të ketë “një adresë të saktë në të cilën do të mund të kërkojë ndihmë e mbështetje”.
Sipas komunikatës së Komisionit Qendror Zgjedhor, në bazë të rezultateve paraprake të votimit, ndër partitë serbe më së shumti vota ka marrë Partia e Pavarur Liberale – 12.525 vota.
NOA