Tiranë, 14 dhjetor, NOA - Shëndeti dhe mjekësia në punë është tema e një seminari tre ditor që po zhvillohet në Institutin e Shëndetit Publik, përmes një bashkëpunimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në trajnim marrin pjesë inspektorë të të gjitha Drejtorive të Shëndetit Publik të cilët mbulojnë shëndetin në punë, mjekë të Ministrisë së Punës dhe të ndërmarrjeve private si dhe ndihmës mjekë, të cilët do të jenë trajnuesit e specialistëve në qarqe.
Seminari po asistohet edhe nga ekspertë të huaj të ardhur nga Finlanda dhe Hollanda dhe në përfundim të tij do të konkludohet me 2 module.
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili në nisjen e këtij trajnimi theksoi se shëndeti në punë qëndron në krye të listës së problematikave të shëndetit publik.
Shumica e rasteve së sëmundshmërisë në punë tha ministri Vasili, janë mjaft komplekse nëse merren parasysh mundësitë e mbivendosjes së disa sëmundjeve njëherësh duke bërë që sistemi të ketë kosto të larta.
Vasili vuri në dukje se problematika e shëndetit në punë është e veçantë dhe e rëndësishme sepse është shtresa më aktive e popullsisë që preket ndërsa vlerësoi se lënia pas dore e bën mjaft të vështirë rikuperimin e plotë të pacientit.
Ministri Vasili ka vlerësuar mbështetjen e madhe të OBSH e cila ka qenë e standardeve te larta ndërsa ka theksuar se duhet punuar në drejtim të përsosjes së legjislacionit.
Problematikat më të mëdha që synon të parandalojë kujdesi i shëndetit në punë janë:
Sëmundjet e skeletikës muskolare, sëmundjet e lëkurës si dermatoza, silikoza, asbestoza, alergjitë nga kimikatet si dhe depresioni.
a,k/NOA