Prishtinë, 14 dhjetor, NOA - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon Presidentin e SHBA-ve Barak Obama dhe popullin amerikan me rastin e vdekjes së diplomatit të lartë, Hollbruk.
"Me pikëllim morën lajmin për vdekjen e veteranit të diplomacisë amerikane, Richard Holbrooke. Richard Hollbruk ishte ndër diplomatët më të njohur në nivel botëror, që dha kontribut të shquar në të gjitha misionet, duke treguar cilësitë e larta individuale dhe përfaqësimin e denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes anembanë globit”, thuhet në mesazhin e Thaçit.
Ai vlerëson se vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane është humbje e madhe jo vetëm për SHBA-të, por edhe për popujt për të cilët ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e paqes dhe arritjen e lirisë.
“Për qytetarët e Kosovës vdekja e Richard Hollbruk është humbje e një miku dhe një zëri mbrojtës të interesave të Republikës së Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve saj ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta", shkruan Thaçi në mesazhin e tij ngushëllues për Obamën.
a.k/NOA