Tiranë, 15 Dhjetor 2010 NOA/ Rid Bulku - Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se juria e “Shooting Stars“ - European Film Promotion“, ka shpallur si një nga 10 talentet e reja të Evropës, aktorin shqiptar Nik Xhelilaj.
[media id=137 width=600 height=440]
Prej majit të vitit 2010 edhe Shqipëria përfaqësuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, është anëtare e European Film Promotion (EFP) i cili është rrjeti i vetëm ndërkombëtar që organizon promocion dhe marketim të Kinematografisë Evropiane në mbarë botën.
Shqipëria mori pjesë këtë vit për herë të parë, në programin që ofron EFP të quajtur “Shooting Stars“, i cili që prej vitit 1998 bën prezantimin e aktorëve të rinj dhe të talentuar evropianë.
Të 31 vendet anëtare të EFP-së, kandiduan me aktore/aktorë në bazë të kritereve të përcaktuara nga programi, si:
Mosha, përfaqësimi i aktorit në të paktën 2 role kryesore në filma artistikë;
Pjesëmarrja e aktorit me një film i cili po qarkullon momentalisht në festivale ndërkombëtare;
Minimumi një çmim i aktorit me filmin në fjalë si edhe rezonancë pozitive të aktorit dhe të filmit;
Juria e përzgjedhur nga EFP (aktorja gjermane Heike Makatsch, regjisori danez Ole Christian Madsen, producenti francez Cédomir Kolar, casting director Lina Todd nga USA dhe autori dhe kritiku britanik i filmit Derek Elley) midis shumë kandidatëve nga e gjithë Evropa, zgjodhi 10 aktoret/aktorët më të mirë, për t’i promovuar si talentet e vitit 2011 në Kinematografinë Evropiane, ndër të cilët bën pjesë edhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj, i përfaqësuar më filmin “Shqiptari”.
Shtypit, industrisë së filmit dhe publikut do t’u prezantohet vala më e re e talenteve nga Evropa, nëpërmjet një serie eventesh specifike, që do të zhvillohen gjatë ditëve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (10-20 Shkurt 2011), ku do të celebrohet dhe nderohet me çmim edhe aktori përfaqësues i Shqipërisë, Nik Xhelilaj, së bashku me 9 aktorët e tjerë fitues, për të vazhduar më pas me një tur në disa nga Festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare në mbarë botës, si Sundance, Rome, Cannes etj.
Ne fakt aktori shqiptar Nik Xhelilaj ka marre dhe çmime të tjera.
r.b/NOA