Shkodër, 15 dhjetor, NOA – Në ditën e 15-të të katastrofës ujore që përmbyti komunat e Nënshkodrës, por edhe rrugët e qytetit verior sot kryeqendra e veriut është vizituar edhe nga diplomati i ri amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu. I ardhur në 2 dhjetor në Tiranë për të marrë detyrën e tij të re si ambasador i SHBA-ve në vendin tonë, që përkoi me ditën e dytë kur Shkodra u pushtua nga uji, ambasadori amerikan Arvizu garantoi shtabin e emergjencës në Shkodër dhe përfaqësuesit e bashkisë së qytetit dhe banorët se SHBA-të nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar USAID do të ndihmojë banorët e Shkodrës që të ndihen më të sigurt pas këtyre përmbytjeve që u kanë rrënuar shtëpitë e bizneset, duke theksuar se po përmes kësaj agjencie janë siguruar batanije dhe kite higjienike për të ndihmuar njerëzit të jenë më të sigurt. “Unë mbërrita në Shqipëri më datë 2 dhjetor. Isha shumë i lumtur që erdha këtu, por ishte gjithashtu shumë e trishtueshmë të shihja situatën e përmbytjeve në këtë pjesë të vendit. Dhe miqtë dhe familja ime ishin gjithashtu shumë të trishtuar kur lexonin për përmbytjet – jepej edhe në televizion atje – dhe të gjithë janë të shqetësuar. Në fakt doja të vizitoja javën e kaluar, por mendova se ju ishit në mes të përballimit të emergjencës dhe do të ishte mirë të prisja disa ditë dhe të vija, dhe fatmirësisht, uji duket se është tërhequr disi”, u shpreh ambasadori amerikan.
Në fjalën e tij ambasadori amerikan theksoi se si ai dhe zyrtarët e ambasadës dhe USAID-it do të qëndrojnë në kontakte për zhvillimet e emergjencës me synimin që gjatë javëve të ardhshme të vlerësohen nevojat e tjera në varësi të gjendjes së motit.
“Jam i shqetësuar për shembull për disa nga fermat e vogla; të mbjellat e tyre mund të jenë dëmtuar shumë keq”, tha Arvizu.
Duke vlerësuar aksionin e qeverisë në përballimin e situatës, ambasadori Arvizu tha se “Isha shumë i shqetësuar për rezervat ushqimore, ujin e pijshëm, medikamentet, fëmijët dhe shkolIat, e gjëra të tjera të tilla. Por qeveria iu përgjigj me vendosmëri falë njerëzve si ju dhe ushtrisë, ushtarakëve, policisë dhe kolegëve tuaj këtu sot. Ju meritoni shumë mriënjohje që i erdhët në ndihmë njerëzve tuaj në një kohë të tillë nevoje. Por edhe njerëzit e zonës të prekur drejtpërsëdrejti, meritojnë mirënjohje që u treguan kaq të fortë dhe që rezistuan. Dua gjithashtu të dini se jam i lumtur që një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare iu përgjigj thirrjeve tuaja për ndihmë”, vlerësoi ai.
Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu vlerësoi edhe forcat e ushtrisë dhe policisë të cilat iu përgjigjën situatës së vështirë të përmbytjeve.
Sot në ditën e 15-të të përmbytjeve edhe qeveria mori vendimin për ngritjen e komisioneve hetimore për vlerësimin e dëmeve në zonën e Shkodrës, ku përmbytjet kanë dëmtuar jo vetëm banesat e banorëve të zonës por edhe biznese private e toka të tëra të mbjella.
Tashmë harta e sipërfaqes së përmbytur në Shkodër, është reduktuar nga tërheqja e ujit në 9 440 ha tokë nën ujë, ndërsa niveli i ujit në komuna është ulur në 1 metër.
mit/NOA