Tiranë, 15 Dhjetor 2010 NOA - Raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty është një raport totalisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës.
Ky ishte qëndrimi zyrtar i qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Sali Berisha lidhur me shpifjet që Dick Marty ka bërë ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Këto pohime, z. Berisha i bëri sot ndërsa priti Drejtorin e Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në KiE, Jean Louis Laurens
Në takim u diskutua mbi situatën politike dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh, siç është edhe rinovimi i marrëveshjes së prezencës së Këshillit të Europës në Tiranë.
Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me Këshillin e Europës dhe ndihmën e kontributin që ky institucion prestigjioz i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë, në konsolidimin e demokracisë në të gjitha drejtimet.
Kurse Drejtori Laurens, uroi Kryeministrin Berisha për arritjen historike, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Laurens vlerësoi se Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe.
Gjithsesi, zyrtarisht, asgjë nuk u bë e ditur nga Qeveria shqiptare lidhur me reagimin e Laurens për deklaratat e forta të Berishës për Marty.
Më herët sot, Kryetarja e Kuvendit kërkoi që KE të hetojë pse Dick Marty po shpif për Hashim Thaçin.
Topalli i tha drejtorit politik z. Laurens në një takim që patën në selinë e saj se raporti i deputetit zviceran, anëtar i PACE-s është një raport i pabazuar në asnjë fakt, dëshmon shpërdorim të paprecedent të detyrës nga ish-prokurori Dick Marty.
“Nëse deputeti nuk paraqet fakte për ato që ka shkruar dhe nuk i paraqet këto në Gjykata, do të ishte në nderin e Këshillit të Evropës, të kërkojë një ekspertizë mjeko-ligjore për Raporterin zviceran, si dhe një hetim tërësor rreth rrethanave që kanë shtyrë Dick Marty të prodhojë një raport të tillë”, - tha Topalli.
Burimet zyrtare nuk bëjnë të ditur se çfarë ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në Këshillin e Evropës, Zhan Luis Laurens lidhur me këtë “grusht” që Topalli lëshoi ndaj Marty, pasi ky i fundit në mënyrë abuzive ka shpifur kundër Thaçit.
e.r/NOA