Tiranë, 15 dhjetor, NOA – “Place Pigale” është një prej rrugëve me dyqane “seks shop” dhe shtëpi publike më të njohura në Francë, rrugë që e ka marrë emrin nga piktori Jean Baptiste Pigale (Pigal). Me këtë rrugë i ka krahasuar sot kryeministri Sali Berisha ngjyrat e dekoreve të vendosura nga Bashkia e Tiranës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Në mbledhjen e qeverisë ai ka kërkuar që të përcaktohet në Protokollin e Shtetit mënyra sesi duhet të dekorohen rrugët për festat e fundvitit.
“Në kryeqytet, po përballemi me fenomenet më të çuditshme. Protokolli i Shtetit duhet të përcaktojë qartë dekorin e këtij qyteti. Sot, bulevardi kryesor “Dëshmorët e kombit”, më thotë një veteran, ka marrë ngjyrat e Pigalit, një lagje e veçantë e Parisit dhe absolutisht, veterani kishte të drejtë. Shikojini, janë identike ngjyrat e Pigalit. Por ky shesh nuk është Pigali, por bulevardi “Dëshmorët e kombit””, tha Berisha në mbledhjen e qeverisë.
Më tej ai u shpreh se duhet ndërhyrje e Protokollit për të vendosur ngjyra normale.
“Interesohem dhe këtë nuk e ka bërë vetë, por ka porositur ngjyrat vetë. Ka futur kompanitë, me sponsor dhe për këtë ka bërë mirë, por ngjyrat të atilla nuk mund të vihen. Bulevardi “Dëshmorët e kombit” do të ketë ngjyrat e dritat që duhen. Pastaj e bën këtë dy muaj pas martese. Protokolli i Shtetit të ndërhyjë, në qoftë se është e mundur me kode të ndërrohen ato ngjyra dhe të bëhen ngjyra normale”, tha Berisha.
Duke u ndalur në përvojën franceze, Berisha u shpreh se në sheshet kryesore ata vendosin ngjyra të përshtatshme.
“Francezët, që i bëjnë sheshit ndriçimin më fantastik, nuk i vënë në Champs Elysees ato ngjyra. As kullën Eiffel nuk e ndriçojnë në atë mënyrë. Ndaj Protokolli i Shtetit të ndërhyjë dhe bulevardi të marrë të gjithë ngjyrat, të cilat përfaqësojnë tërë shoqërinë. Është i papranueshëm siç është. Është shqetësuese. Veteranët ndjehen shumë të lënduar. Dhe unë qëndroj prapa tyre”, tha Berisha.
Nisur nga dekori i kryeqytetit me rastin e festave të fundvitit, kryeministri tha se bulevardi kryesor i kryeqytetit “Dëshmorët e Kombit” duhet të ketë ngjyrat dhe dritat që përfaqësojnë të gjithë shoqërinë.
a.k/NOA