Intervista - “Këto raporte i kam lexuar në dokumentet që janë përpunuar nga qarqe, jo anti-shqiptare, por anti-UÇK, thotë për radion Evropa e Lirë Xhavit Haliti, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit Evropian, në një raport që do të diskutohet nesër në Paris, ka akuzuar liderët e UÇK-së për, siç ka thënë, kontrabandim armësh, droge dhe organesh njerëzore. Cili është reagimi juaj i parë?
Së pari, ne kemi pasur një zotim para bashkësisë ndërkombëtare, para miqve tanë, me të cilët kemi komunikuar gjatë luftës, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kurrë nuk do të merret me kontrabandimin e armëve, kurrë nuk do të merret me financimin e UÇK-së përmes kontrabandës me drogë. Kontrabandimi i organeve – që po thuhet – është akuzë tepër e rëndë, e cila mendoj se duhet të verifikohet saktë. Besoj se është e pamundshme të imagjinohet se UÇK-ja paska pasur një mekanizëm, i cili është marrë me atë punë. Është krejt e pamundur... Ka qenë profesionalisht e pamundur të realizohet...
Nuk e besoj se ka diçka të tillë. Megjithatë, unë shpresoj se kjo do të ndriçohet përmes fakteve dhe hetimeve të mëtutjeshme, të cilat duhet të bëhen nga organet profesionale dhe jo të jepen deklarata në bazë të akuzave politike, që mund të ngrihen nga vende të caktuara ose nga individë të caktuar.
Në ketë raport, mes tjerash, thuhet se kryeministri në largim, Hashim Thaçi, dhe katër anëtarë të tjerë, duke ju përfshirë edhe juve, kanë kryer “vrasje, burgime, rrahje dhe frikësime”. Si do të përgjigjeshit personalisht në këto akuza?
Ne kemi qenë në luftë dhe nuk kemi qenë në piknik gjatë asaj kohe. Në luftë vriten njerëz dhe janë vrarë njerëz - këtë nuk mund ta mohojë askush - por më shumë janë vrarë shqiptarë.
Unë nuk kam asnjë informacion lidhur me këto çështje, sepse nisur nga detyra ime, e përfaqësuesit politik të UÇK-së, duke mos qenë drejtpërdrejt në terren, ku janë zhvilluar luftime, nuk mund të flas me argumente për çështje, të cilat as nuk i kam parë dhe as nuk i kam dëgjuar.
Megjithatë, duke qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ne kemi pasur parasysh dhe kemi lexuar Konventën e Gjenevës mbi Luftën. Kushdo që e ka shkelur atë, duhet të japë llogari. Besoj se të apostrofuarit, asnjëri nuk janë ata që kanë shkelur Konventën e Gjenevës mbi Luftën.
Prandaj, akuzat mendoj se janë të pabaza. Megjithatë, ne duhet t’i hapim mundësi edhe Dik Martit, edhe të gjithë faktorëve që janë të interesuar të hetojnë, për të hetuar deri në fund dhe ta spastrojmë këtë ngarkesë, do të thosha të padrejtë, që i bëhet një ushtrie që ka çliruar vendin – Kosovën.
Nuk pajtohem me këtë akuzë dhe kurrë nuk do të pajtohem, sepse asnjë argument nuk e kemi dhe UÇK-ja nuk ka pasur asnjëherë orientim të tillë.
Qeveria e Kosovës ka reaguar duke thënë se raportet e tilla janë në shërbim të qarqeve të caktuara. Ju, si mendoni, kush qëndron prapa kësaj?
Unë mendoj se më shumë është një raport politik, sa për ta arsyetuar kohën që ia kanë dhënë në dispozicion zotit Dik Marti. Nuk dua ta akuzoj zotin Dik Marti si njeri të manipuluar nga qarqe të caktuara.
Këto raporte, unë i kam dëgjuar, lexuar e stërlexuar nga dokumente që janë përpunuar nga qarqe, do t’i quaja jo anti-shqiptare, por anti-UÇK, të cilat kanë denoncuar nëpër zyrat e UNMIK-ut, të KFOR-it, te hetues të ndryshëm. Dhe, besoj se këto janë ezauruar nga hetuesitë edhe të UNMIK-ut, edhe të EULEX-it, edhe hetuesia e Policisë së Kosovës, por edhe hetuesia e Gjykatës së Hagës.
Duke qenë të ezauruara, më duket e tepërt që të rikthehemi për të njëjtat çështje me akuza të njëjta. Asnjëri nga politikanët në Kosovë nuk është i mbrojtur me asnjë lloj imuniteti, duke përfshirë edhe Xhavit Halitin, që të mos i nënshtrohet hetuesisë nga palët, të cilat i përmenda.
Normalisht që ne nuk do t’i nënshtrohemi asnjëherë presionit psikologjik që është ushtruar në media dhe nëpër qarqe të caktuara nga Serbia. Por, sa u përket akuzave që mund të vijnë në këto raporte, ne duhet të jemi të gatshëm që të sqarojmë gjithçka që kërkohet dhe që kemi mundësi ta sqarojmë, sepse është në interesin tonë, duke pasur parasysh pastërtinë e luftës që ka pasur UÇK-ja.
A e njihni personalisht zotin Marti?
Jo. Unë e kam para vetëm në gazeta. Nesër kemi një takim me të në Paris. Unë dhe Ibrahim Gashi jemi si përfaqësues të Kosovës, të Parlamentit të Kosovës. Për herë të parë merr pjesë një delegacion i Kosovës në Komisionin Politik të Këshillit Evropian, i cili ka dëgjuar sot mendimet tona dhe ata kanë dhënë vlerësimet për situatën në Kosovë.
Nuk i kemi pasur të harmonizuara qëndrimet – kuptohet, ka pasur divergjenca, ka pasur kundërthënie mes nesh dhe disa referuesve, apo disave që kanë shtruar pyetje.
Por, nesër është dëgjimi i raportit të zotit Marti dhe besoj së nesër do ta kem rastin ta takoj fizikisht dhe të ballafaqoj mendimin tim me të tijin, e njëkohësisht, jo të mbroj UÇK-në, por t’i kërkoj atij që të ketë një sens bashkëpunimi me protagonistët kryesorë të UÇK-së, të cilët pa hezitim do t’i japin të gjitha informatat, të cilat i ka në interes vetë zoti Marti.
Çka do t’i thoni zotit Marti, meqë takoheni me të nesër?
Ne jemi në një konferencë, ku është Komisioni Politik i Këshillit të Evropës dhe unë nuk mund të prejudikoj se çfarë do të debatojmë në mbledhje – sepse kemi një mbledhje të përbashkët, në të cilën do të raportojë zoti Marti.
Ne do ta marrim fjalën tonë duke u futur në çështje, me të cilat do të ballafaqohemi nesër. Unë nuk mund të prejudikoj se çfarë duhet të diskutojmë ne, sepse unë, fatkeqësisht, ende nuk e kam parë raportin e zotit Marti, për arsye – të mos i përmend – të efikasitetit të institucioneve tona në këtë drejtim.
Cila mendoni se do të mund të jetë pesha e këtij raporti? Sa është ai i vlefshëm në skenën e institucioneve ndërkombëtare?
Nuk është problemi në skenën ndërkombëtare... Një raport negativ, i nivelit raportues në Këshillin e Evropës, nuk është i mirë për Kosovën – është e vetëkuptueshme.
Por, ne duhet të punojmë shumë që për raportet e tilla, të cilat kanë për qëllim ta vënë në bankën e të akuzuarve UÇK-në, protagonistët kryesorë të saj dhe politikat e Kosovës, t’ua ndryshojmë mendjen, jo me deklarata boshe, por me argumente.
Ne duhet të punojmë shumë që këto akuza, përmes bashkëpunimit, të eliminohen nga kartelat, t’i quaj ashtu, të strukturave politike dhe informative nëpër botë.
A do të ndërmerrni masa ligjore?
Tani, në përputhje me atë që mund të jetë në raport, nëse ka diçka, ju e dini që jam prej atyre, që nuk përtojnë të ballafaqohen me ligjin. Unë e kam pasur një rast që shtetin e Zvicrës e kam paditur në Gjykatën e Strasburgut dhe nuk e kam për zor që të padis në qoftë se ka të bëjë diçka personale me mua.
E, nëse ka të bëjë diçka me UÇK-në, atëherë kjo është diçka shumë më e rëndë dhe për këtë ne duhet të punojmë të gjithë, për ta sqaruar opinionin ndërkombëtar lidhur me raportin, që besoj sinqerisht se është i bërë pa argumente dhe pa u ballafaquar me protagonistë kryesorë të asaj çështjeje.
Nëse një raport ka të bëjë me Xhavit Halitin, Hashim Thaçin, Fatmir Limajn, Azem Sylën dhe të tjerë, mendoj se i ka takuar zotit Marti që, të paktën një herë, të kërkojë takim me ne, ose me secilin veç e veç dhe të bisedojë për këto çështje.
Unë jam shumë mirë i informuar dhe di shumëçka lidhur me këto çështje, prandaj jam shumë direkt dhe jam shumë i gatshëm që të ballafaqohem me të gjitha instancat, qofshin ato të drejtësisë, qofshin politike, për t’i sqaruar detajet – madje, detajet që kanë të bëjnë me mua dhe detajet që kanë të bëjnë me qëndrimet politike të UÇK-së dhe udhëzimet që ka dhënë Shtabi i Përgjithshëm dhe Drejtoria Politike e UÇK-së në raport me zonat dhe protagonistët e zonave.