English

Haxhinasto: Shqipëria pro politikës së “dyerve të hapura” për rajonin në NATO

Shkup, 15 dhjetor, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë pjesëmarrjes së tij në samitin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (A5) i mbajtur sot në kryeqytetin e Maqedonisë Shkup, vlerësoi mbështetjen nga Shqipëria të politikës së “dyerve të hapura” për integrimin e rajonit në NATO duke patur si referencë mbështetjen për integrimin në aleancë të Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Haxhinasto përshëndeti reformat e ndërmarra nga Republika e Maqedonisë në drejtim të anëtarësimit, si dhe kontributin e saj në operacionet e Aleancës.

Në këtë suazë ai shprehu mbështetje edhe për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Kreu i diplomacisë sonë vlerësoi angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për vendet anëtare të Kartës së Adriatikut dhe anëtarësimin e tyre në NATO.

Në këtë kontekst ai theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për integrimin e plotë të gjithë rajonit në Aleancën e Atlentikut të Veriut dhe përshëndeti pjesëmarrjen e Kosovës në këtë aktivitet.

Ai inkurajoi po ashtu pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e ardhshëm të Kartës së Adriatikut.

Duke iu referuar kontributit të Shqipërisë në Afganistan, Ministri Haxhinasto theksoi se, si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është e angazhuar të rrisë kontributin e saj në kuadër të operacionit ISAF të drejtuar nga NATO në Afganistan gjatë vitit 2011, me fokus të veçantë trajnimin forcave afgane të sigurisë.

Ai shprehu angazhimin për kontribute të përbashkëta të vendeve të Kartës së Adriatikut në kuadër të operacionit ISAF në Afganistan.

mit/NOA
KOMENTE