Prishtinë, 15 dhjetor 2010 NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një letër urimi kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e fillimit të lëvizjes së lirë, pa viza në hapësirën shengen të BE-së, për gjithë shtetasit e Shqipërisë.
Më poshtë vijon letra e plotë:
I nderuar kryeministër Berisha,
Në këtë ditë të madhe për Republikën e Shqipërisë dhe për qytetarët e saj, por edhe për mbarë popullin shqiptar, më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’u përcjellë urimet më të përzemërta, me rastin e fillimit të lëvizjes së lirë, pa viza në hapësirën shengen të BE-së, për gjithë shtetasit e Shqipërisë.
Pas anëtarësimit në NATO, Republika e Shqipërisë është duke ecur me hapa të sigurt drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo po ndodh falë punës së madhe të Qeverisë Tuaj, të spektrit politik shqiptar dhe të qytetarëve të Shqipërisë.
Edhe shteti ynë i ri, Republika e Kosovës është duke përmbushur në plotëni kriteret dhe standardet e integrimit në institucionet euro-atlantike. Në këtë kuadër, institucionet e Kosovës janë dëshmuar me angazhimin e vazhdueshëm në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
Në 15 muajt e ardhshëm, me përkushtimin tonë të gjithanshëm institucional dhe qytetar, Republika e Kosovës do të arrijë të jetë pjesë e procesit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj, pa viza në hapësirën shengen të BE-së. Ky është zotimi ynë që do ta realizojmë me saktësi.
Duke shprehur vizionin tonë të përbashkët për integrimin e plotë të dy vendeve tona, në Bashkimin Evropian, shprehim bindjen se tanimë perspektiva evropiane ka filluar të jetë pjesë e pandashme e realitetit zhvillimor të rajonit tonë.
Gëzuar!
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës