Tiranë, 15 dhjetor, NOA – Ashtu sikundër ndodhi edhe pas marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave nga këshilli i ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së edhe sot kur për herë të parë qytetarët shqiptarë kaluan kufijtë e Shqipërisë përdrejt kufijve të vendeve të BE-së pa vizë, duke bërë kështu fakt të kryer heqjen e vizave për shqiptarët në hapësirën Shengen, sot kryeqyteti shqiptar do të jetë në festë. Një koncert madhështor do t’i kushtohet liberalizimit të vizave, që do të mbahet në orën 17.00, në sheshin “Nënë Tereza”, kremtimi i një dite që hyn në historinë e re të demokracisë shqiptare si dita kur shqiptarët udhëtuan pa viza në mbarë Europën.
Ky koncert, që zhvillohet nën patronazhin e vetë kryeministrit Sali Berisha, një ditë pas kremtimit të 20 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike pritet të ketë ngjyrat e koncertit paraardhës të mbajtur në nëntor.
Koncerti madhështor pritet të sjellë performancë, ku këngëtarë shqiptarë do të ngjiten në skenën e improvizuar në shesh do të festojnë me të gjithë të rinjtë e grupmosha të ndryshme të shoqërisë ditën që solli një epokë të re për Shqipërinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.
Por, sikundër edhe koncerti i mëparshëm pritet të ketë surpriza të tilla piroteknike që e kthyen para një muaji Tiranën në natë feste të ngjashme me festat kombëtare të shumë vendeve evropiane, ku Shqipëria synon të aderojë së shpejti e integruar dhe e barabartë me vendet e BE-së.
Efekte të shumëllojshme piroteknike të teknologjisë së lartë dhe atmosfera e festës do të ndiqet live edhe në ekranet televizivë përmes një regjie qendrore.
Sapo muzgu të bjerë Tirana do të ndriçohet për festë, dhe fishekzjarret do të kremtojnë ditën e Lëvizjes së Lirë.
mit/NOA