Tiranë, 15 dhjetor, NOA - Drejtues dhe aktivistë të Lëvizjes Rinore për Integrim kanë shpërndarë sot në aeroportin “Nënë Tereza” fletëpalosje me rregullat dhe kushtet që duhet të përmbushin qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Bashkë me fletëpalosjet informuese, aktivistët e LRI-së u kanë dhuruar disa tufa me lule udhëtarëve të parë. Drejtuesit e LRI-së thanë se duke u dhuruar lule udhëtarëve të parë pa viza përcillet mesazhi i qartë për Europën se “ne vijmë me lule dhe vijmë për t’ju përcjellë vlerat më të mira të shqiptarëve”.
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela, Kryetari i LRI-së për Tiranën, Endrit Brahimllari, së bashku me drejtues dhe aktivistë të tjerë të LRI thanë se një ditë se kjo është e veçantë për historinë e Shqipërisë.
Çela u shpreh se, procesi i liberalizimit të vizave është tërësisht i merituar, pasi Shqipëria arriti të plotësojë standardet dhe kushtet për të arritur deri në këtë moment.
“Jemi sot këtu në ambientet e Aeroportit “Nënë Tereza” për të uruar gjithë qytetarët shqiptar për lëvizjen e lirë pa viza. Është një ditë e madhe, është një ditë feste, një ditë historike, një ëndërr e bërë realitet”, tha Çela.
Ai a falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për procesin e liberalizimit të vizave, për plotësimin e një ëndrre të madhe për qytetarët shqiptarë dhe i ftoi këta të fundit të përfitojnë nga ky proces, duke respektuar rregullat përkatëse të vendosura nga Bashkimi Evropian.
a.k/NOA