Tiranë, 15 dhjetor, NOA – Ndërkohë që me liberalizimin e vizave agjencitë turistike kanë nisur të kenë fluks në rritje, uniformat blu të kryeqytetit përmes operacionit policor të koduar “Mesdita” identifikuan dhe arrestuan në flagrancë autorët e grabitjes së një agjencie udhëtimesh. Falë hetimit të organizuar me metoda speciale u arrestuan 23 vjeçari Rodrik Hektor Malaj, lindur në Vlorë e banues në Tiranë, i paproceduar më pare dhe 21 vjeçarja Gerta Ylli Mezuraj, lindur në Lezhë e banuese në Tiranë, punonjëse pranë agjencisë “Ar&Lo Travel”, ndërkohë që është bërë shpallja në kërkim edhe të dy bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë grabitje.
Gjatë hetimit policor u dokumentua tërësisht implikimi i shtetasve në këtë grabitje, ku 23 vjeçari Rodrik Malaj rezultoi se i kishte vjedhur me dhunë çantën, punonjëses së agjencisë së udhëtimeve “AR&LO TRAVEL“, ku kishte mundur të merrte një sasi parash prej 67 mijë eurosh.
Policia sqaron se implikimi i shtetases Gerta Mezuraj në këtë vjedhje me dhunë, dyshohet se është arritur, duke bashkëpunuar me autorët dhe duke dhënë informacion, gjatë momenteve të lëvizjes së koleges së saj, për depozitimin e shumës së parave në bankë. Grabitja ndodhi dje në orën 15.00, në rrugën “Abdyl Frashëri“ në Tiranë, ku autorët dyshohet se në bashkëpunim me njëri - tjerin, kanë mundur të posedojnë këtë shumë parash.
Pas një pune intensive u arrit sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i valutës së grabitur dhe arrestimi në flagrancë i dy prej autorëve, ndërsa po punohet intesivisht për kapjen e bashkëautrëve të tjerë, tashmë të identifikuar.
Policia po punon për të dokumentuar edhe të tjera vjedhje të realizuara nga ky grup kriminal.
Këtë vepër penale të vjedhjes me dhunë në bashkëpunim tashmë po e ndjek prokuroria e Tiranës.
mit/NOA