English

Mirë se vini, në bahçe të babës

Bisedimet me Serbinë kanë qenë arsye e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe bisedimet me Serbinë do të jenë çelës për koalicionet e mundshme. Bisedimet me Serbinë nuk do të fillonin në kohën kur institucioneve të dorëhequra apo të shkarkuara me vetëdëshirë nuk i kishin mbetur më pak se një vit qeverisje

Nga Behxhet Sh. Shala

A pati fitues në zgjedhjet e fundit:

Në kohën kur përflitej se mund të ketë zgjedhje të parakohshme, të cilat u shndërruan në zgjedhje të jashtëzakonshme, në një shkrim timin pata shkruar se Kosova nuk ka fare nevojë për këto zgjedhje.

Ashtu mendoj edhe sot. Pse? Së pari, konteksti ekzistues politik ku kemi një pavarësi të mbikëqyrur ( ku politikanët tanë vetëm i përsërisin fjalët e mbikëqyrësve tanë, pa të drejtë kundërshtimi) nga ndërkombëtarët me një sovranitet me “këmbë të thyera”, pamundëson zgjedhje të organizuara mirë dhe rezultate që nuk do të kontestohen.

Jemi dëshmitarë se ndërkombëtarët nuk po tregojnë ndonjë interesim të madh për zgjedhjet dhe rezultatin e tyre, por insistimi i tyre ekskluzivisht qëndron në kërkesën që, sa më shpejt të formohen institucionet dhe të fillojnë bisedimet me Serbinë.

Bisedimet me Serbinë kanë qenë arsye e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe bisedimet me Serbinë do të jenë çelës për koalicionet e mundshme. Bisedimet me Serbinë nuk do të fillonin në kohën kur institucioneve të dorëhequra apo të shkarkuara me vetëdëshirë nuk i kishin mbetur më pak se një vit qeverisje.

Prandaj ka qenë e domosdoshme që përmes këtyre zgjedhjeve të imponuara, të dalin institucionet me legjitimitet katër (4) vjeçar që do të ishin pjesë (gjithsesi e pabarabartë) e këtyre bisedimeve dhe garantues të zbatimit të “rezultateve” të këtyre bisedimeve “teknike”.

Ndryshe, pse do të nguteshin aq shumë ndërkombëtarët që këto bisedime të nisin sa më shpejt që të jetë e mundur, në kohën kur ne nuk jemi askund dhe pse Serbia po ashtu po ngutet që këto bisedime të fillojnë qysh sot?

Serbia, për të bëmat e saj në Ballkan, si pjesë e “paqytetëruar” e Evropës është shpërblyer maksimalisht në planin ekonomik, politik dhe rehabilitues. Kosova, si viktimë e agresionit serb ka mbetur si “zorrë qorre” dhe është rast eklatant, kur qytetarëve të saj u shkelen në mënyrë brutale të drejtat e njeriut duke i lënë krejtësisht të izoluar dhe duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes.

Izolimi i Kosovës prodhon efekte shumë negative edhe në zhvillimin ekonomik të saj, sepse nëse jeni margjinalizuar nga “baballarët e demokracisë” atëherë ky është një sinjal i keq dhe sugjerim për investuesit e huaj, që të kenë kujdes se ku do të investojnë.

Ata ndërkombëtarë që kanë investuar në Kosovë pas përfundimit të luftës, kanë përfituar aq shumë sidomos përmes procesit të privatizimit dhe plaçkitjes së ndërmarrjeve të mëdha profitabile, duke i shfrytëzuar lidhjet politike me politikanët e korruptuar dhe shantazhuar, të cilët pastaj i kanë marrë në mbrojtje dhe që pa asnjë dyshim do t’i hedhin si lecka të përdoruara, në fund të fundit.

Pastaj, në Kosovë nuk ka resurse të kualifikuara dhe të përgjegjshme që për një kohë aq të shkurtër t’i organizojë zgjedhjet, për të cilat do të duheshin së paku 6 muaj punë intensive.

Organizimi i suksesshëm i zgjedhjeve nuk nënkupton vetëm përmbushjen e standardeve teknike, por përmbylljen e suksesshme të tërë procesit zgjedhor, siç janë evidentimi i parregullsive, vjedhja e votave, informimi me kohë dhe ndërmarrja e menjëhershme e veprimeve të nevojshme, rezultatet preliminare, shqyrtimi i ankesave dhe parashtresave si dhe certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Me një fjalë është dashur të krijohen kushtet që të mos ketë hapësirë për kontestimin e rezultateve të zgjedhjeve, ose që kjo hapësirë për kontestim të jetë në margjinat e lejuara. Tash e kemi një situatë kur kontestimi i rezultateve të zgjedhjeve ka marrë përmasa të uniteti të paparë të aktorëve politik të vendit. Kësi uniteti nuk e kemi pasur as për zhvillime shumë të rëndësishme për Kosovën.

Kosovës në këtë çast i mungon një mekanizëm i besueshëm vendor, i pavarur dhe i paanshëm, për monitorimin e zgjedhjeve. Duket qartë se “Koalicioni i Tinës”, apo Demokracia në Veprim, përkundër përpjekjeve që të konsolidohet, nuk ka arritur të bëhet një “gardian” për ruajtjen e votës së qytetarit, apo denoncimin e shkelësve të zgjedhjeve. Përkundër mundësive shumë më të përparuara teknike dhe përkrahjes jashtëzakonisht të madhe materiale nga ndërkombëtarët, ata kanë mbetur si “bisht” i zgjatur i KQZ-së.

Ata patën përkrahje nga të gjitha ambasadat në Kosovë dhe nga të gjithë ambasadorët. Madje, ambasadorin e një vendi shumë të fuqishëm i cili vranë e kthjellë në Kosovë e angazhuan si vëzhgues duke i vendosur një kapelë të Demokracisë në Veprim në kokë. Dhe çuditërisht, pikërisht ai ambasador doli para “bosëve” të tij të Demokracisë në Veprim, me konstatimin se ka pasur shkelje serioze gjatë procesit të votimit në Drenas dhe Skënderaj.

I kujtoj lexuesit e nderuar, se në kohën kur zgjedhjet në Kosovë janë monitoruar nga rrjeti i OJQ-ve me rolin udhëheqës të KMDLNj-së nuk ka pasur as vjedhje të votave, e as kontestim të rezultateve preliminare. Në fakt, rezultatet preliminare u patën kundërshtuar vetëm nga ORA e cila pastaj u bind se pikërisht rezultati i KMDLNj –së për këtë subjekt politik, ka qenë 99.60% i saktë.

Sikur edhe rezultatet e tjera. Rezultatet preliminare të KMDLNj të bëra publike në hotelin “Grand” në mesnatë asnjëherë nuk kanë qenë të gabuara dhe ato janë përputhur 99.50% me rezultatet e certifikuara.

Mirëpo, më duhet të them se atëherë komisionerët e zgjedhjeve kanë qëndruar “gatitu” para vëzhguesve të KMDLNj-së dhe se nuk ka ndodhur asnjë rast që ata t’i kundërshtojnë këta vëzhgues. Buxheti i atëhershëm i KMDLNj-së për monitorimin e zgjedhjeve, nëse krahasohet me buxhetin e Demokracisë në Veprim lirisht mund të llogaritet se ka qenë buxhet social, shumëfish më i vogël.

Ka qenë buxhet qesharak. Rezultatet e monitorimit kanë qenë të pakrahasueshme si dhe nga kredibiliteti, në favor të KMDLNj-së. Nëse keni vëzhgues të trajnuar mirë, të përkushtuar, politikisht të paanshëm dhe të cilët mbulojnë gjatë tërë kohës, vendvotimet atëherë nuk kanë gjasa të dështojnë.

Asnjëherë. Atëherë KMDLNj-së i morën të drejtën e monitorimit të zgjedhjeve, jo për shkak të rezultateve të dobëta, dështimeve, por pikërisht se kishte rezultate të mira dhe ruante me fanatizëm votën e qytetarit nga keqbërësit.

Ua morën të drejtën e monitorimit sepse doli haptas, kundër dhunës që ushtrohej, kundër aktivistëve të Lëvizjes “VETËVENDOSJE”, tash subjekt politik parlamentar. Madje, partnerin e KMDLNj-së për monitorimin e zgjedhjeve e shantazhuan, duke ua bërë të ditur se me KMDLNj-në si partner nuk do të kenë mbështetje financiare ndërsa pa KMDLNj-në do ta kenë.

Dhe KIPRED u përcaktua pa KMDLNj-në, duke iu nënshtruar shantazhit të donatorëve duke u bërë pjesë e “Koalicionit të Tinës” ose shqip, Demokracisë në Veprim.

Sot KIPRED më nuk është pjesë e “Koalicionit të Tinës” – Demokracisë në Veprim, sepse është tërhequr nga ky koalicion. I vetmi subjekt që ka të drejtë t’i kontestoi rezultatet e zgjedhjeve është “VETËVENDOSJA” dhe FER-i.

Kontestimi i këtyre rezultateve zgjedhore nga LDK, AAK dhe AKR është i paqëndrueshëm nga aspekti moral, sepse të gjitha këto subjekte politike kanë vjedhur vota, si në “bahçe të babës”. Se do të ketë vjedhje të votave ka qenë sekret publik. Këtë e kanë ditur edhe miqtë ndërkombëtarë. Prandaj edhe janë organizuar zgjedhjet për një kohë aq të shkurtër. Kontestimi i votave mund të bëhet vetëm për ato vendvotime ku janë regjistruar dhe ku mund të dëshmohen parregullsitë e jo në nivel komunal apo atë qendror.

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve dhe kontestimi i tyre nuk varet shumë, mos të them aspak nga fakti se kontestohen nga subjektet në fjalë, por nga qëndrimi i shteteve të Kuintit dhe vëzhguesit të Demokracisë në Veprim, ambasadorit të SHBA-së, z. Kristofer Dell. Si dhe përbërja e koalicioneve.

A është Drenica, Piemont i shqiptarisë, hajnisë apo ne jemi të pafytyrë: Kur flitet për manipulim (vjedhje) të votave atëherë mendohet në radhë të parë për Drenasin dhe Skënderajn.

Akuzat për vjedhje të votave pastaj i adresohen tërë Drenicës. Është një e vërtetë e ditur se gjithherë kur flitet për Drenicën dhe drenicakët, sidomos qytetaria e Kosovës (ish-komunistët dhe trashëgimtarët e tyre biologjik dhe politik) shfaqin një ndjenjë raciste dhe qëndrim injorant.

Ata që e kanë mësuar historinë e Beogradit nuk ka mundësi të mendojnë ndryshe. Për këtë arsye duhet të rishkruhet historia e re e Kosovës dhe shqiptarëve. Në atë histori duhet të thuhet një e vërtetë e madhe, se çdo përpjekje për liri të Kosovës dhe shqiptarëve rrënjët i ka në Drenicë.

Se Drenica për 100 vjet me radhë nuk ka pushuar së luftuari për lirinë e shqiptarëve dhe pavarësinë e Kosovës. Se Azem Bejta, Shotë Galica, Ahmet Delia, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Hafir Shala dhe shumë heronj të tjerë janë nga Drenica. Se UÇK u formua në Drenicë dhe se Komandanti Legjendar i UÇK-së, i Madhi Adem Jashari ishte nga Drenica.

Se sakrifica që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, sakrifica e familjes Jashari ishte në Drenicë. Vetëm idioti i injoron këto fakte. Nëse toka e Drenicës ka qenë e thatë për shkak të mungesës së ujit, atëherë gjithmonë ka qenë e njomë me gjakun e heronjve të lirisë. Vetëm të pashpirtët dhe injorantët e mohojnë këtë fakt. Prandaj, se Drenica është Piemont i shqiptarisë dhe lirisë, nuk mund të mohohet në asnjë mënyrë. Se në Drenicë ka hajna nuk mund të mohohet kurrsesi.

Po pak ka hajna në Prishtinë, Llap, Dukagjin, Gjilan, Prizren dhe në vendet tjera?. Nëse i referohemi parimit komunist dhe internacionalist atëherë mund të themi se hajni nuk ka as fe, as atdhe.

Përfundimisht, nëse jemi në gjendje që disa hajna dhe kriminelë t’i përgjithësojmë të tërë në një rajon siç është Drenica, atëherë përveç injorancës sonë, ne e lakuriqësojmë edhe pafytyrësinë tonë. Pa asnjë dyshim.

Një rrenë e madhe për një vend të vogël: Dik Marfi, raportues për Të Drejtat e Njeriut, i Këshillit të Evropës po e akuzon UÇK-në se ka vrarë serbë në Shqipëri dhe pastaj ua ka trafikuar organet, gjatë dhe menjëherë pas përfundimit të luftës.

Në dyshime dhe akuza të tilla edhe Millosheviçi ka qenë më korrekt dhe më i rezervuar. Dik Marfi ka urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve dhe UÇK-së. Duket se edhe ndaj së vërtetës gjithashtu ka urrejtje patologjike.

Për këto dyshime dhe akuza askush nuk ka qenë në gjendje të siguroi prova materiale. As që do të sigurohen ndonjëherë. Akuzat e “hulumtuesit për të drejtat e njeriut”, Dik Marfi tani janë bërë edhe më gjithëpërfshirëse.

Tani po akuzon edhe kryeministrin në dorëheqje dhe me gjasë atë të ardhmin, Hashim Thaçin se është vet kreu i krimit të organizuar në këtë pjesë të Ballkanit dhe e ndërlidhë me vrasjen e serbëve dhe trafikimin e organeve të tyre në “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel.

Se edhe sot është në krye të bandës për trafikim të organeve dhe trafiqe të tjera. Çudi, si për këtë nuk qenka i informuar Interpoli. Në fund të fundit, nuk duhet të hidhërohemi nëse na kafshon qeni i huaj, kur qentë e vendit tërë kohën lehin kundër teje .

Dyshim i bazuar apo frikë e supozuar: E kam një frikë se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të jetë vend për azilimin e kriminelëve të të gjitha llojeve, nëse votuesi nuk ka vendosur ndryshe. Madje, kam frikë se ky Kuvend do të jetë Kuvendi më i kriminalizuar në rajon dhe më gjerë. Uroj që ta kem gabim.

KOMENTE