English

NEXUS: Task-Forcë rajonale për shkëmbimin e informacioneve kundër terrorizmit

Tiranë, 15 dhjetor, NOA – Krijimi i një task-force rajonale si një mekanizëm për shkëmbimin e informacionit, si dhe përdorimi në kohë i instrumenteve të strukturës së Interpol-it kundër terrorizmit si në nivel kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar si dhe bashkëpunimi kundër terrorizmit përmes agjencive rajonale të zbatimit të ligjit dhe shërbimeve inteligjente që do të mundësonte zbulimin dhe shterrimin e çështjeve në hetim ishte në qendër të takimit të Grupit të Punës kundër Terrorizmit për Europën Juglindore që po mbahet në kryeqytet nga 15-16 dhjetor, në kuadër të projektit NEXUS, ku morën pjesë 19 delegacione nga vende të ndryshme, anëtarë të këtij grupi. Gjatë takimit zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka tha se Shqipëria është një anëtar aktiv i koalicionit global kundër terrorizmit dhe për të përmbushur detyrat e saj gjatë 5 viteve të fundit ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, si në fushën ligjore ashtu dhe në atë strukturore, për t’i dhënë mundësinë agjencive të zbatimit të ligjit që të luftojnë me sukses kundër terrorizmit.

Peka theksoi se për të forcuar kapacitetet kundër terrorizmit duhet rritur bashkëpunimi i brendshëm ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, si dhe duhet forcuar bashkëpunimi me homologët në rajonin e Europës Juglindore, Europë e më gjerë, duke falënderuar sakaq përfaqësuesit e vendeve partnere dhe Interpol-in në veçanti, për bashkëpunimin mjaft të mirë që i kanë ofruar agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit.

Ndërsa Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Agron Kuliçaj, u shpreh se ”Përpjekjet tona janë fokusuar për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve rajonale, por edhe vendeve të tjera evropiane që luftojnë kundër terrorizmit, duke vënë theksin në marrjen, administrimin dhe shpërndarjen e informacionit të përbashkët”.

Sipas tij angazhim i përbashkët mbetet rritja e nivelit bashkëpunues dhe koordinues me agjencitë përkatëse rajonale dhe më gjerë, me qëllim që veprimet operative të lidhura me informacionin inteligjent të shkojnë në mënyrë simetrike me çështjet në hetim, pasi vetëm kështu do të arrihen rezultatet e duhura.

Ndërkohë, Vasilieos Theofilopulos, Menaxheri i Projektit NEXUS, gjatë fjalës së tij vlerësoi rëndësinë e takimeve të këtij lloji me synim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër aktiviteteve terroriste.

“Në përputhje me rekomandimet e adaptuara në Takimin e fundit të Grupit të Punës- Projekti NEXUS, i cili u mbajt në Lisbonë të Portugalisë në data 18-19 Maj 2010, ku Shtetet Anëtare kërkuan rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit në rajonin e Europës, si dhe takime të rregullta në grup pune për të rritur shkëmbimin e të dhënave, u vendos që të organizohet një takim me grupin operacional, i cili do të fokusohej në rajonin e Europës Juglindore”, tha Theofilopulos.

Ai nënvizoi se një nga qëllimet kryesore të takimit është forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër aktiviteteve terroriste ndërmjet shteteve në rajonin e Europës Jug-Lindore por edhe më gjerë si dhe të rrisë rolin e rrjetit Task Forcë, si një mekanizëm për shkëmbimin e informacionit për çështje të luftës kundër terrorizmit dhe përdorimin e mjeteve të INTERPOLIT kundër terrorizmit.

mit/NOA
KOMENTE