Tiranë, 15 dhjetor, NOA – Dita e parë kur shqiptarët lëvizën pa viza drejt vendeve të zonës Shengen është përshëndetur sot edhe nga një eksponent i opozitës së bashkuar, kryetari i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili e cilësoi liberalizimin e vizave si një ngjarje të rëndësishme historike për popullin, për Shqipërinë. Milo duke folur për këtë ngjarje të shënuar e cilësoi atë si të meritë të shqiptarëve, për të cilën duhet të njihet angazhimi i të gjithëve për vite të tëra në plotësimin e standardeve.
“Nuk është dhuratë as nga politika shqiptare, por nuk është dhuratë as nga BE, por është meritë e vetë shqiptarëve që kanë ditur të respektojnë normat dhe të plotësojnë kushtet dhe kriteret e domosdoshme që janë të nevojshme për të marrë këtë liberalizim të vizave”, tha kreu i PDS-së, Milo.
Ai bëri me dije se “Opozitë e Bashkuar” uron që shqiptarët do të dijnë ta administrojnë këtë të drejtë të madhe që kanë fituar duke respektuar të gjitha kushtet dhe ligjet e vendit ku ata do të shkojnë.
Duke e cilësuar si hapin e parë të rëndësishëm në drejtim të integrimit të plotë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë në BE, Milo në emër të opozitës së bashkuar përshëndeti popullin shqiptar për këtë ngjarje të shënuar.
“Urojmë gjithashtu prosperitet, që edhe ngjarjet e mëdha të fundvitit t’i gëzojnë në Europën e lirë e demokratike të gjithë sëbashku si qytetarë të merituar të Europës së re”, përfundoi kryetari i PDS-së, Paskal Milo.
mit/NOA