Prishtinë, 15 dhjetor, NOA - Siguria rrugore do të trajtohet gjithmonë me seriozitet nga Policia e Kosovës dhe njësitet e saj policore, pasi pakujdesia gjatë operimit me mjet në komunikacionin rrugor merr çdo vit me dhjetëra jetë njerëzish dhe shkakton dëme materiale të konsiderueshme.
Një fakt i tillë citohet në një deklaratë të shpërndarë prej saj, duke shtuar se aktualisht të gjitha rrugët në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe vendkalimet kufitare me shtetet fqinje, janë të kalueshme por me vështirësi për shkak të reshjeve të dëborës dhe ngricave në disa segmente rrugore.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur gjithsej 53 aksidente, prej të cilave 10 me lëndime të lehta dhe të rënda trupore.
Ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme si rezultat i të reshurave të borës dhe nga pakujdesia e drejtuesve te automjeteve, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë ndodhur rreth 70 aksidente, prej tyre 1 me fatalitet, në rajonin e Pejës.
Policia e Kosovës bën apel tek të gjithë qytetarët që të respektojnë kufijtë e shpejtësisë së lejuar, e në raste të ngricave dhe borës kur rruga është e rrëshqitshme shpejtësia duhet t’i përshtatet kushteve të rrugës.
Është e obligueshme për mjetet motorike që qarkullojnë në rrugë gjatë kësaj sezone të posedojnë pajisjet dimërore, në të kundërtën policia do t’i ndëshkojë te gjithë kundërvajtësit dhe te gjithë ata qe nuk i posedojnë pajisjet dimërore.
n.e/NOA