English

PS: Sot ditë e veçantë, për vizat kanë meritë dhe ekspertët shqiptarë

Tiranë, 15 dhjetor, NOA – Partia Socialiste ka përshëndetur sot liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Në një deklaratë për mediat deputeti i PS, Ditmir Bushati, deklaroi se kjo është një nga ditët më të veçanta për vendin.

“Sot është një ditë e veçantë për shqiptarët. Ëndrra për të lëvizur të lirë në Europë u bë realitet. Sot është momenti për t’u shprehur mirënjohjen më të sinqertë të gjithë miqve dhe partnerëve tanë europianë, të cilëve u dedikohet në radhë të parë kjo fitore e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Bushati.

Ai shtoi se kjo gjë u bë e mundur falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë. “Falë mbështetjes dhe kontributit të tyre u bë i mundur përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës të kufirit dhe zhvillimit të kapaciteteve administrative”, tha Berisha.

Në vlerësimin e PS-së në heqjen e vizave kanë meritë dhe ekspertët shqiptarë.

“Sot është momenti për të shprehur mirënjohjen dhe respektin më të thellë për të gjithë ata ekspertë shqiptarë e të huaj që kanë kontribuar ndër vite në jetësimin e kësaj ëndrre”, tha ai.

Bushati solli në vëmendje të opinionit dhe viktimat që kanë humbur jetën për të kaluar kufirin gjatë komunizmit dhemb pas.

“Sot është gjithashtu momenti për të kujtuar ata mijëra shqiptarë që ndër vite humbën jetën në tentativën për tu arratisur nga Shqipëria komuniste dhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Europën demokratike”, tha ai.

Deputeti socialit u shpreh se këtë moment lirie qytetarët duhet ta respektojnë dhe të mos shkelin rregullat.

“Ky është një moment të cilin shqiptarët e meritonin prej kohësh, por ky është gjithashtu momenti për të treguar se këtë liri lëvizjeje ne do të dimë ta shfrytëzojmë me rregull, përgjegjshmëri dhe dinjitet”, tha Bushati në një konferencë për mediat, gjatë ditës së sotme.

a.k/NOA

KOMENTE