Moskë, 15 dhjetor, NOA – Artikulli i publikuar nga “The Guardian” dhe raporti i Dick Martin është shfrytëzuar më së miri nga autoritet serbe.
Serbia dhe aleati i saj, Rusia kanë reaguar ndaj raportit, i cili e implikon kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në trafikimin e organeve të serbëve të burgosur dhe krimin e organizuar. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha pas takimit me homologun rus Sergei Lavrov në Moskë se bota tashmë duhet të njoh se kush e drejton Kosovën.
“Ky raport është sinjal se ka ardhur koha që tërë bota e qytetëruar të pushojë së mbylluri sytë para realiteteve të tmerrshme në Kosovë. Ky raport tregon se si është Kosova sot, dhe kush janë liderët e saj. Ne të gjithë duhet të bëhemi bashkë që të kërkojmë zgjidhje për çështjen” e Kosovës, tha Jeremiç.
Raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës Dik Marti thotë se civilët e burgosur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë vrarë në Shqipëri, dhe veshkat e tyre janë shitur në tregun e zi pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999.
Raporti gjithashtu sugjeron se kryeministri Hashim Thaçi ka qenë një kohë “bosi” i nëntokës kriminale, e cila ka bërë tregtinë me organet.
Lavrov tha se informatat për trafikimin e organeve kanë dalë në sipërfaqe shumë kohë më parë, dhe se Moska është “shumë e alarmuar” nga raporti i ri.
a.k/NOA/RFE