Prishtinë, 15 dhjetor 2010 NOA – Menjëherë pas publikimit të akuzave bastarde të z.Marti, akuza që synojnë veçse të dëmtojnë imazhin e shqiptarëve në tërësi dhe Republikës së Kosovës në veçanti, si shteti ende i ri dhe i rrezikuar nga serbët, ka reaguar dhe Qeveria në Prishtinë.
Ajo kujtoi faktin se, në të përditshmen “The Guardian” u publikua një artikull i cili thirret në një raport të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dik Marti, i cili është në vazhdën e raporteve të cilat janë publikuar në 12 vitet e fundit dhe që kanë pasur për qëllim njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj.
Qeveria pohon se pretendimet e botuara në “The Guardian“ janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për më tepër, është e papranueshme që shpifjet e një anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të paraqiten si opinione të vet institucionit, i cili nuk ka të bëjë me raportin e cituar.
Është e qartë se dikush dëshiron të pengoj Kryeministrin Hashim Thaçi pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat qytetarët e Kosovës, në mënyrë të qartë dhe masive i dhanë besimin për të vazhduar programin zhvillimor dhe qeverisjen e vendit tonë.
Veprimet e tilla të ulta dhe bizare, nga njerëz pa asnjë kredibilitet moral, mund të jenë në shërbim vetëm të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Opinioni i gjerë vendor dhe ndërkombëtar tashmë e di fare mirë se Dik Marti që nga fillimi, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, ka qenë paragjykues dhe i vendosur që të raportojë në favor të qëndrimeve që ka shprehur bashkëpunëtorja dhe mikja e tij Karla Del Ponte dhe Qeveria e politikanët e Republikës së Serbisë.
Por, publikimi i qëndrimeve të tilla paragjykuese dhe denoncuese, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, nuk përkon me etikën profesionale që do të duhej ta kishte gazeta “The Guardian”.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kryeministri Hashim Thaçi do të ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për të kundërshtuar shpifjet e Dik Martit, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike.
As qytetarët e Republikës së Kosovës dhe as opinioni i gjërë ndërkombëtar, nuk do të bijnë pre e shpifjeve qëllimkëqija të kundërshtarëve të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që matrapazët e porositur të njollosin luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës.
e.r/NOA