Tiranë, 15 dhjetor, NOA – 20 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, diktaturë e cila mbajti mbi tre milionë shqiptarë të izoluar brenda kufijve të Shqipërisë për 50 vite me radhë, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në një gjest simbolik për lirinë dhe lëvizjen e lirë e shënuar sot në ditën e rrëzimit edhe të murit të shëmtuar të vizave, ftoi një grup qytetarësh që do të udhëtojnë në hapësirën Shengen në zyrat e kryesisë së kuvendit, i njohur si ish-komiteti ekzekutiv i regjimit të shkuar ku merreshin vendimet më të zeza të shkeljes së njeriut dhe eliminimit të kundërshtarëve kujtdo që guxonte të jetonte e mendonte ndryshe. Zonja Topalli në fjalën e saj tha se “Ndoshta më mirë që u takuam këtu, sepse ka qenë kjo godinë, që 45 vjet me rradhë, ka izoluar këtë vend; ka futur këtë vend në testin më mizor kundra njeriut, kundra vehtes. Është kjo godinë që gjatë gjithë periudhës së diktaturës, shqiptarët u internuan, u izoluan, iu vunë hekurat, i vunë në tela me gjemba, i hoqën dinjitetin, i hoqën lirinë.…”, rikujtoi ajo.
Topalli shprehu kënaqësinë që ish-godina e komitetit qendror tashmë është kthyer në tempullin e demokracisë, ku votohen reformat dhe ligjet që iu kërkuan Shqipërisë për përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave.
“Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët. Kemi punuar gjatë, ky është një gëzim i merituar. Kurrkush nuk na ka dhuruar gjë”, tha Topalli.
Kryeparlamentarja Topalli tha se tashmë me liberalizimin e vizave do të jenë prindër që shkojnë të shohin për herë të parë, se ku dhe si jetojnë fëmijët e tyre, të rinj që shkojnë të shohin nga afër mundësi për studim, ish të internuar që i gëzohen lirisë, biznesmenë që shkojnë për të parë mundësi të reja biznesi.
Duke ndarë me qytetarët këtë ditë të shënuar, që erdhi 20 vjet pas pluralizmit politik në Shqipëri, zonja Topalli e cilësoi 15 dhjetorin si ngjarjen më të madhe historike të vendit.
Qytetarët i treguan Kryetares së Kuvendit, histori të dhimbshme të kalvarit të përpjekjeve, gjatë 20 viteve për të marrë një vizë, një rrugëtim tashmë i përmbyllur pasi tashmë është çelur një epokë e re, ajo e lëvizjes pa viza të shqiptarëve në hapësirën Shengen.
mit/NOA