English

Hajredin Kuçi: Akuzat për krime të Dick Martit, janë shpifje

Prishtinë, 16 dhjetor, NOA - Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë duke i quajtur "qesharake dhe njollosëse" akuzat se kryeministri Hashim Thaçi dikur ka drejtuar një rrjet të krimit të organizuar që trafikonte organe njerëzore të marra nga të burgosurit e vrarë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në një intervistë për BBC-në i cilëson shpifje ordinere gjetjet e raportit të reporterit të Këshillit të Europës, Dick Marty.

Raporti pretendon se kjo tregti ka filluar kur zoti Thaçi ishte udhëheqës politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fund të viteteve 1990.

Raporti thotë se ka prova se disa të burgosur nga UÇK-ja, përfshirë serbë, ishin vrarë para se t'i merreshin organet dhe t'u shiteshin blerësve të huaj.

Por zëvendëskryeministri Kuçi thotë se pretendimet për implikim në krime të emrave që përmenden në raportin e komisionuar nga Këshilli i Europës, mund të kenë prapavijë për dëmtimin e imazhit të UÇK-së.

Z.Kuçi, a mund të komentoni projekt-raportin e senatorit zviceran, Dick Marty?

Një shpifje e tillë është dëgjuar edhe më herët, ndoshta duke filluar nga libri i Carla del Pontes. Edhe më herët, Marty e ka përsëritur një shpifje të tillë, tani duke lakuar edhe emra të përveçëm.

Dua të them se është një shpifje ordinere, që mund të ketë një prapavijë për dëmtimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por mund të ketë edhe ndonjë synim politik momental për ndonjë shtet apo për ndonjë shërbim që unë nuk e kam të qartë, por jo vetëm që do të përballet zoti Marty me qëndrimin tonë politik. Ai do të përballet edhe me drejtësinë për shpifjet e tij.

Unë mendoj se ato nuk i bëjnë nder as atij, as raportit që tenton ta prezantojë.

Unë jam, po ashtu, plotësisht i bindur që Këshilli i Europës dhe të tjerët kanë dëgjuar shpifje të tilla nga koha e Millosheviçit dhe nga goja e Millosheviçit dhe ky tani duket është një Millosheviç i vogël që po tenton ta mbartë apo ta përçojë, pasi ai ka vdekë, ta përçojë një politikë millosheviçiane në botën demokratike.

Megjithatë nuk është e lehtë kur akuzohet kryeministri, duke u cilësuar edhe si bosi i rrjeteve të ndryshme mafioze. Sipas botimeve të shtypit, ngjarja e trafikimit të organeve të periudhës së gjatë luftës lidhet edhe me një klinikë, një rast ku shtatë doktorë janë para drejtësisë për trafikim organesh në kilinikën Medicus. Cili ka qenë implikimi i institucioneve të Kosovës në denoncimin e rastit Medicus dhe a ka ndonjë lidhje?

Në lidhje me këtë 'shtëpinë e verdhë' janë dhënë mendime, pastaj është dhënë një konstatim zyrtar nga Tribunali i Hagës, që ka pasur hetime për këtë dhe nuk kanë ardhur në asnjë përfundim.

Pastaj është dhënë konstatim zyrtar, po ashtu nga organet ndërkombëtare të EULEX-it në Kosovë, për një veprim të tillë që nuk ka pasur gjëra të tilla. Këto kanë ardhur nga mekanizma ndërkombëtarë, jo nga ata të Kosovës.

Ne i kemi dhënë hapësirë gjithmonë drejtësisë që të funksionojë, që të shikojë gjitha rastet, para, gjatë luftës dhe më vonë. Gjithsesi do të jemi shumë rigoroz ndaj shpifjeve që mund të jenë me qëllim të degradimit të autoritetit, qoftë individual, apo kolektiv të luftës sonë të drejtë.

Mund t'ju them se drejtësia funksionon në Kosovë. Drejtësia në Kosovë ka emër edhe vendor, por edhe ndërkombëtar dhe fjalën e vet duhet ta thotë drejtësia. Besoj se drejtësia do ta thotë fjalën e vet edhe përballë shpifjeve të zotit Marty.

A ka gjasa që ju të nisni ndonjë procedurë për ndonjë përgjegjësi eventuale të zotit Marty?

Ne do t'i bëjmë gjithë angazhimet tona që ai të përballet me përgjegjësi politike dhe përgjegjësi juridike, d.m.th. përmes gjykatave, me ngritje të padisë, që ai të përgjigjet për shpifje të tilla, të cilat në këtë rast tentojnë ta krijojnë dëmin në raport me Kosovën, por që në këtë rast tentojnë ta dëmtojnë edhe autoritetin e organit që përfaqëson ai.

Ai ka ardhur në Kosovë më herët. Ka ardhur me lejen e autoriteteve të Kosovës, pra, me lejen tonë si qeveri. Pastaj ai ka kontaktuar institucionet tona.

Por ai ka pasur një paragjykim para se të vijë këtu dhe duket se ka qenë një misionar i njerëzve që ende janë zëra të mbetur apo të tretur të Millosheviçit, që jetojnë në zyrat e Beogradit, apo, fatkeqësisht, tani edhe diku jashtë Beogradit.

Ky raport është publikuar pikërisht në kohën ku ju po përballeni me krijimin e qeverisë së re të Kosovës menjëherë pas zgjedhjeve. Mund të ketë kjo ngjarje ndonjë ndikim në këtë proces?

Ne nuk jemi shumë ithtarë të teorive të tilla të konspiracionit. Ajo që mund të them është se mund të ndërlidhet me kohën e bisedimeve në raport me Serbinë, në mënyrë që të dëmtohet autoriteti i Kosovës, në këtë rast edhe i kryeministrit ndoshta, në përballje me Serbinë.

Por kryeministri ynë çlirimtar është një hero i Kosovës dhe unë besoj se bota demokratike, ata që luftojnë për lirinë e popujve të vet, i çmojnë, është një partner i çmueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe një bashkëpunues i shkëlqyeshëm me drejtësinë ndërkombëtare në cilindo rast.

Unë mendoj se në këtë rast, më shumë është në nuancat politike dhe më shumë është argat, po e quaj, i politikës destruktive të Serbisë, se sa që mund të jetë i një politike parimore dhe që lidhet me drejtësinë ndërkombëtare.

BBC

KOMENTE