Tiranë, 16 dhjetor, NOA – Në ditën e dytë të hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave drejt zonës Shengen për qytetarët shqiptarë, policia e shtetit deklaroi se qytetarët me pasaportë biometrike kanë udhëtuar normalisht drejt vendeve të BE-së duke informuar se nga orët e para të mëngjesit të sotëm deri pasdite kanë udhëtuar me pasaportë biometrike drejt vendeve Shengen 1.295 shtetas shqiptarë. Gjithashtu janë zhvilluar edhe takime me përfaqësuesit e Policisë Greke në pikën e kalimit kufitar të kakavijës ku u shfaqën probleme, të cilat sikundër shprehen uniformat blu janë zgjidhur duke bërë që procesi të ecë normalisht.
Policia e shtetit jep të dhënat që flasin për shtetasit shqiptarë që kanë kaluar kufirin shqiptar drejt zonës Shengen pas liberalizimit të vizave, ku bëhet me dije se nga orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Pikat e Kalimit Kufitar kanë kaluar me pasaportë biometrike 631 shtetas shqiptarë, ndërkohë që gjatë 24 orëve të ditës së djeshme në drejtim të vendeve të zonës Shengen kanë kaluar me pasaportë biometrike 664 shtetas shqiptarë.
Nga Pika e Kalimit Kufitar të Rinasit gjatë ditës së sotme kanë kaluar me pasaportë biometrike 314 shtetas, ndërkohë që nga nisja e lëvizjes së lirë pa viza, nga Rinasi kanë udhëtuar me pasaportë biometrike drejt vendeve Shengen 494 qytetarë shqiptarë.
Në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës gjatë ditës së sotme kanë lëvizur me pasaportë biometrike 171 shtetas shqiptarë, ndërsa nga fillimi i lëvizjes së lirë pa viza, nga kjo pikë kanë udhëtuar me pasaportë biometrike 363 qytetarë shqiptarë.
Në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës gjatë ditës së sotme kanë lëvizur me pasaportë biometrike 100 shtetas shqiptarë dhe në Pikën e Kalimit Kufitar Tre Urat kanë kaluar 16 shtetas, ndërsa dje 201 qytetarë shqiptarë.
Nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Durrës, nga dita e djeshme kur filloi ky proces, me pasaportë biometrike kanë kaluar 130 shtetas.
Përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit Vlorë, nga dita e djeshme kur filloi ky proces, me pasaportë biometrike kanë kaluar 107 shtetas shqiptarë.
Sipas policisë, lëvizja e lirë, pa viza, e qytetarëve Shqiptarë po vazhdon normalisht, me ritëm normal, në të gjitha vendet e zonës Shengen, ndërkohë që informohet se Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat për një lëvizje normale dhe pa probleme të shtetasve shqiptarë.
Në këtë kontekst në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar është shpërndarë një “kujtesë” mbi rregullat e qëndrimit në vendet Shengen për të gjithë ata shtetas shqiptarë që do të lëvizin pa viza si dhe po bashkëpunohet ngushtë edhe me homologët për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë të pajisur me pasaportë biometrike.
mit/NOA