English

Meta: Përdorimi politik i fatkeqësisë natyrore, mjerim i lidershipit të opozitës

Tiranë, 16 dhjetor, NOA – 16 ditë pasi Shkodra u dergj nën ujërat e lumenjve Buna e Drin, prurja e madhe e të cilëve si rezultat i reshjeve dhe dalja nga shtretërit sollën përmbytjen më të pashembullt të qarkut të Shkodrës, duke e kthyer atë në një liqen, zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi se keqpërdorimi i fatkeqësisë natyrore që pllakosi Shkodrën për qëllime politike nga lidershipi socialist dëshmon mjerimin e tij politik dhe njerëzor. Duke risjellë në vëmendje një nga përmbytjet më të rënda të Shkodrës e ndodhur në 1963-in, por sigurisht më e lehtë se kjo e dhjetorit 2010, zëvendëskryeministri Ilir Meta theksoi se “Është për të ardhur keq për lidershipin e opozitës sonë, se nuk ka dëshpërim për përmbytjen e e këtyre banorëve, porse dëshpërimi më i madh i lidershipit të opozitës është se nuk ka viktima. Dëshpërimi më i madh është se pse kjo situatë është menaxhuar vërtet si një vend anëtar i NATO-s, me profesionalizimin më të lartë të gjithë strukturave, jo vetëm të emergjencës, por sidomos të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, të Shëndetësisë, dhe faktet janë kokëfortë”, tha Meta.

Duke folur për angazhimin e qeverisë në përballimin e përmbytjeve Meta solli në vëmendje se angazhimi i qeverisë dhe mirëorganizimi i aksioneve bëri që të mos humbte asnjë jetë njeriu nga këto përmbytje, pasi sikundër tha Meta niveli i liqenit të Shkodrës këtë vit ka arritur nivelin më të lartë, edhe më të lartë se sa në vitin 1963 dhe kjo ka ndodhur për shkak të reshjeve të jashtëzakonshme dhe intensive, të cilat kanë rënë përgjatë gjithë vitit, dhe sidomos përgjatë muajve të fundit.

“Kam dëgjuar këtu se fajin e ka qeveria, sepse fajin e ka menaxhimi i kaskadës së Drinit. Ky është një mashtrim që bëhet vetëm për qëllime politike. Përkundrazi, menaxhimi i kaskadës ka qenë jashtëzakonisht profesional dhe perfekt. Kam dëgjuar nga kryetari i opozitës, të cilit i shkon shumë mirë ajo shprehja që ishte dhe për deputetin shkodran, që nuk dua ta përsëris, se fajin e ka lojërat me shit-blerjet që bën KESH-i”, theksoi Meta.

Në këtë kontekst ai nëvizoi se KESH-i nuk ka blerë energji për më shumë se sa një vit. KESH-i sipas metës ka menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer kaskadën, ka bërë shkarkime në mënyrë të vazhdueshme për të mos çuar në kuota kritike lartësinë e digave dhe e treta, dhe ka bërë eksport të vazhdueshëm.

Sipas Metës prodhimi maksimal që kur Komani ka hyrë në punë, në vitin 1985, ka qenë 5.6 miliardë kv/orë në vit, ndërkohë që nga 1 janari i këtij viti deri tani është 7.1 miliardë kv/orë, që sikundër tha Meta dëshmon se ky ka qenë një vit jashtëzakonisht i pazakontë në drejtim të reshjeve, po edhe në drejtim të ujëmbledhësit të liqenit të Shkodrës që ka sjellë dhe riaktivizimin e burimeve të tij të nëndheshme.

Duke akuzuar opozitën për mossolidaritet me banorët për qëllime të rrëzimit të qeverisë, Meta tha se “Ju nuk doni t’i dëgjoni këto fakte, sepse doni të rrëzoni qeverinë. Me kuti nuk e rrëzoni dot, doni ta rrëzoni me përmbytje, duke spekuluar me situatën në të cilën ndodhen banorët e Shkodrës dhe të Nën Shkodrës, sepse qëllimi juaj nuk është solidariteti me ta, qëllimi juaj është përdorimi i fatkeqësisë për të dëmtuar qeverinë. Ishit ju që shpallët se NATO dhe BE kanë refuzuar të mbështesin qeverinë për këtë fatkeqësi natyrore, por fakti është shumë kokëfortë”, bëri me dije Meta, duke theksuar se në të kundër të akuzave të opozitës dhe lidershipit të saj, “NATO dhe Bashkimi Europian, vendet më demokratike, kanë qenë pranë qeverisë, kanë qenë pranë komunitetit, kanë qenë pranë pushtetit vendor, kanë dhënë dhe japin ndihma të vazhdueshme për përballimin e kësaj situate kritike.

“Qeveria jo vetëm ka garantuar menjëherë evakuimin e banorëve, jo vetëm ka garantuar furnizimin menjëherë me ushqime, me medikamente dhe shërbim mjekësor në zonat e izoluara, me ujë, por qeveria menjëherë ka garantuar furnizimin me ushqim për blegtorinë dhe gjithçka tjetër. Janë bërë me qindra operacione fluturimi. Janë bërë me qindra evakuime të vështira, ku mund të kishin humbur jetën anëtarë të forcave të ushtrisë e të policisë, të cilët nuk kanë ngjyra partiake, por e bënë këtë në emër të një solidariteti njerëzor”, informoi zëvendëskryeministri Meta në parlament.

“Ju natyrisht keni problemet tuaja me mua si Ilir Meta. Por të jeni të sigurt ju se unë nuk kam asnjë problem me banorët e Shkodrës dhe të Nën Shkodrës. Unë kam qenë atje dhe do të jem vazhdimisht, derisa edhe metri kub i fundit i ujit të largohet nga këto zona. Qeveria ka qenë dhe do të jetë atje vazhdimisht, në mënyrë që ne ta ndihmojmë këtë komunitet të rikuperojë sa më shpejt situatën”, tha ministri i Energjitikës, Ilir Meta.

Duke vënë theksin në faktin se harku i Bërdicë është treguesi nëse shkarkimet ndikojnë apo jo në përmbytje, ai bëri me dije se vetëm dy ditë ka patur probleme atje dhe ditën e tretë është liruar, ndërsa qyteti vetëm dje u lirua nga uji, tha Meta, duke aluduar në mënyrë ironike se uji u tërhoq pikërisht në ditën e çlirimit të shqiptarëve dhe të Shkodrës nga vizat, një ditë në të cilën sipas Metës lidershipi i PS-së u sëmur keq.

mit/NOA
KOMENTE