Tiranë, 16 dhjetor, NOA – Eshtë për të ardhur keq që kryetari i opozitës, Edi Rama, dëshpërohet përse nuk ka viktima dhe përse kjo situatë është menaxhuar me profesionalizmin më të lartë si vend i NATO-s.
Kështu ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, gjatë seancës së sotme plenare, duke kritikuar Ramën se ai nuk u interesua siç duhet për situatën, ashtu siç bënë në fakt disa deputetë socialistë, të cilët megjithëse opozitarë, u interesuan për mbarëvajtjen e saj.
“Nëse kjo situatë nuk do të menaxhohej siç duhet, ne do të kishim humbje në njerëz siç pati Bosnja apo Polonia”, shtoi ai.
Duke shtuar se liqeni i Shkodrës, arriti këtë vit kuotat më të larta, që nga viti 1963, për shkak të reshjeve intensive, që kanë rënë gjatë muajve të fundit
Në fund, ai shtoi se menaxhimi i kaskadës ka qenë profesional dhe se nuk e ka fajin fare shit-blerja e energjisë elektrike që bën Koorporata Elektro-energjetike Shqiptare.
n.e/NOA