Shkodër, 16 dhjetor, NOA – Pas gjysmë orë ndjekje nga pas policia e Shkodrës mbërriti të prangosë në orët e para të mëngjesit një 26 vjeçar që lëvizte i armatosur në automjetin e tij. Ngjarja ndodhi sot rreth orës 04.00 të mëngjesit në fshatin Boriç të komunës Gruemirë në rrethin e Malësisë së Madhe, kur patrulla e Policisë së Rendit bëri të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë i shtetasit Pëllumb Guri 26 vjeç banues në fshatin “Shtoj Ri”, të rrethit Shkodër.
Policia njofton se kapja e 26 vjeçarit u bë në bazë të informacioneve të marra, ku thuhej se 26 vjeçari Pëllumb Guri po lëvizte i armatosur, me një automjet tip Toyota, me targë TR 26 67 B.
Shtetasi Pëllumb Guri, në momentin që ka konstatuar prezencën e shërbimeve policore, ka tentuar të largohej, dhe pas ndjekjes përreth 30 minuta, është bërë e mundur neutralizimi dhe kapja e tij me një armë zjarri pushkë njëzetshe dhe një sasi fishekësh luftarakë, të cilat ky shtetas i mbante pa leje.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit dhe fishekët, ndërkohë që u bë edhe bllokimi i automjetit me të cilin ky shtetas po udhëtonte.
mit/NOA