English

Ruçi: Raporti i Dik Martit atentat ndaj Kosovës dhe shtetit, ta dënojmë me rezolutë

Tiranë, 16 dhjetor, NOA – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi i ka kërkuar sot Kuvendit të Shqipërisë të hartojë në një kohë sa më të shpejtë një rezolutë ku të dënojë ashpër akuzat e lëshuara nga raportuesi për çështjet ligjore dhe të drejtat e njeriut në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Europës, Dick Marty, i cili akuzon kryeministrin Hashim Thaçi dhe liderët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, se janë marrë me tregti armësh dhe trafik organesh njerëzore dhe krime të tjera ndaj të burgosurve serbë, pas mbarimit të luftës në Kosovë në vitin 1999. Duke i cilësuar këto akuza si akuza të forta që synojnë rrënimin e paqes në rajon, dhe godasin jo vetëm shtetin e ri të Kosovës por edhe Shqipërisë, kreu i grupit socialist, Ruçi kërkoi që parlamenti shqiptar të ndërhyjë sa më parë lidhur me akuzat e rënda.

Ruçi tha se akuzat e Dik Martit janë tërësisht politike dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. “Akuzat në raport dëmtojnë shtetin tonë, nuk janë thjesht akuza ndaj Thaçit, pasi ky raport rrezikon stabilitetin në rajon”, tha zoti Ruçi.

Sipas raportit të Dik Martit të burgosurit serbë mbaheshin në një shtëpi në Burrel, ndërsa organet për trafik u hiqeshin të burgosurve serbë në një shtëpi tjetër që gjendej në Fushë Krujë.

Më pas gjatë fjalës së tij në kuvend, Ruçi tha se caktimi i datës për ngritjen e Komisionit Hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit është shumë i vonuar, megjithatë tha ai le të përfundojë edhe kjo ëndërr e keqe e zvarritjes së një procesi që duhej të kishte nisur me kohë.

“Kemi humbur shumë kohë, dhe në datën 23 me sa duket keni vendosur t’i mblidhni të gjitha, theksoi zoti Ruçi, duke risjellë në vëmendje se mazhoranca ka bërë të pamundurën që gjithnjë debate të rëndësishme t’i lërë ose për në dhjetëditëshin e fundit të korrikur ose në atë të dhjetorit, pra gjithnjë në prag pushimesh.

“Le të jetë kjo një ëndërr e keqe, le të presim edhe datën 23, por s’ka më asnjë arsye për të humbur kohë. Ne do të ishim shumë të interesuar që ky hetim të ishte bërë kohë më parë, tha Ruçi duke mbyllur kështu fjalën e tij nga foltorja e parlamentit, vetëm pak përpara se të diskutohej në parlament për caktimin e datës për ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve, i kërkuar nga Partia Socialiste.

mit/NOA
KOMENTE