Bashkë me lundrimin që bëjmë me anijet që drejtojmë apo pjesë e ekuipazhit të të cilave jemi, udhëtimi ynë i vërtetë është ai i jetës në këtë botë. Shqipëria nuk është vetëm ajo që mbetet jashtë, që mbetet këtu, por edhe ajo që ndodhet brenda secilit prej nesh, ajo që ndodhet brenda meje jo në të tashmen, por për gjithë jetën.
*Manuel Montobbio
Kur jeta na thërret për të lundruar në detra të tjerë dhe na mbërrin momenti për t´u nisur dhe kur udhëtimi ynë ka qenë ai i jetës, provojmë domosdoshmërisht një paradoks dhe një metamorfozë. E pra çdo fund është në të njëjtën kohë një fillim, dhe ajo që jetohet nuk përfundon, por ndryshon. Kremtojmë kështu sot fundin e një udhëtimi dhe fillimin e një tjetri; por në të njëjtën kohë vazhdimësinë e tij dhe të anijes së Spanjës që lundron tashmë përgjithmonë nëpër ujërat e Shqipërisë.
Na thoshte Seneka në Letra Lusilios se vdekja nuk vjen papritur, porse vdekje quhet ajo e fundit që na rrëmben; dhe se vdesim çdo ditë, sepse çdo ditë humbim pjesë nga jeta jonë, e cila zvogëlohet njëkohësisht me rritjen tonë. Por na thoshte njëkohësisht që çdo gjë përfundon, por asgjë nuk vdes dhe gjithçka që duket se vdes nuk bën gjë tjetër veç se ndryshon; dhe se lumturia e jetës nuk konsiston në kohëzgjatjen por në mënyrën se si përdoret.
Dhe është për këtë që largohemi nga Shqipëria por nuk ikim: mbetemi. Sepse kemi qëndruar çdo ditë që kemi shpenzuar jetën tonë në të, dhe ekzistojmë në veprat, në realitetet dhe ëndrrat që ka bërë të mundur angazhimi ynë dhe në njerëzit tek të cilët jemi: dhe jemi kudo që ata të jenë.
Teksa hedhim vështrimin pas, nuk shohim vetëm shtegun të cilit nuk do t´i rikthehemi kurrë më, por njëkohësisht e mbi të gjitha çfarë dhe si është ajo që lëmë pas.
“Çfarë” e kësaj Ambasade dhe e shumë realiteteve që mund të përmend çdo njëri prej nesh e që bëjnë të mundur që sot të ndjejmë që Spanja nuk është më ajo që ishte në Shqipëri, atë natë të 10 korrikut 2006 në të cilën arrita në aeroportin e Rinasit për të qenë Ambasadori i parë i Spanjës me qëndrim në Tiranë.
Dhe “si”-ja e papërsëritshme e këtij udhëtimi që tashmë prek fundin e tij; e pra, nëpër detrat e Historisë bashkëkohore të Shqipërisë kurrë më parë nuk kishte lundruar anija e një Ambasade të Spanjës. Një udhëtim i nisur atë natë si kapiteni i një anije pa anije, që i armatosur vetëm me një laptop dhe një celular nisi aventurën e krijimit të një anije e cila filloi të sillet e të lundrojë sikur kjo anije të ekzistonte në të vërtetë. Të ndërtojë karkasën, të punësojë ekuipazhin, të instalojë makinerinë dhe programet që mundësojnë lundrimin e saj; të vërë në lëvizje strukturat, ekipin profesional dhe instrumentet juridike dhe programet që bëjnë që një Ambasadë të mund të arrijë të jetë gjithçka që mundet. E në të njëjtën kohë, ndërsa ndërtohej anija ekuipazhi mësonte të lundronte, të lundronte me vela të shpalosuran dhe kundra erës; sepse aq është rruga për t´u përshkuar e horizonti për t´u arritur saqë nuk ka përpjekje e as kohë të mjaftueshme për të përparuar drejt tij. E ndërsa anija pak nga pak fillon të funksionojë në të gjithë potencialitetin e vet e të zotërojë ujërat e Shqipërisë, ky kapiten merr përsipër lundrimin e flotave madhore në momente kyçe të jetës së tij publike, si presidenca e OSBE në vitin 2007 apo ajo e Bashkimit Europian në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Si senekian, duke dedikuar jetën në të, duke lundruar me jetën nëpër botë dhe në jetë, duke u përkushtuar, duke katalizuar, duke i përkthyer njëri tjetrit botët tona përkatëse. E duke njohur botën e tjetrit, kjo pashmangshmërisht e me shumë dëshirë bëhet e jona dhe ne bota e tij. Sepse për të përkthyer botën tënde për t´ia shpjeguar e për ta ndarë me tjetrin, nuk mund veçse në të njëjtën kohë të futesh nën lëkurën e tij, të thellohesh në botën e tij, ta njohësh e ta bësh tënden. Kafavis thoshte se Itaka ndodhet te udhëtimi: të përshkuarit bashkë e këtij udhëtimi na transformon, ashtu si duke u përkthyer, duke u takuar, duke u njohur e duke ecur bashkë dy botët, ajo e Shqipërisë e ajo e Spanjës, ngjizën Shqipanjën.
Është në këtë mënyrë që ¨si-ja dhe ¨çfar¨-i e udhëtimit tonë i krijojnë paradokset e metamorfozat e këtij momenti. Paradoksi qëndron në atë që shteti mbetet, kurse shërbyesit e tij shkojnë. Personazhet mbeten, me diskutimet dhe veprat e tyre, njerëzit shkojnë. Por, mbi të gjitha personazhet shkojnë, na lenë, dhe mbetemi ne, njerëzit.
Mbetemi pasi, ndoshta tani, secili sipas mënyrës së vet, i hedh një vështrim rrugëtimit e distancës që ka përshkuar e që mbetet për tu përshkuar, por kurrkush nuk do të mund të mohojë udhëtimin. Në të njëjtën mënyrë sikundër bëhen gati pesë vjet qëkur nisëm të ndërtonim anijen, të mblidhnim ekuipazhin e kësaj anijeje që është Ambasada, sot jemi duke lundruar në të, me velat të shpalosura. E kushdo qoftë kapiteni i saj anija vazhdon lundrimin, atje, në Mesdheun që na bashkon e në horizontin e të cilit humbet vështrimi ynë, atje, duke lundruar drejt Shqipanjës.
Mbetemi, pasi përpara, gjatë e më pas, përtej e përmbi personazhit tonë, është njeriu. Wshtë Shqipëria dhe Spanja, apo Shqipanja, pasi tek ai jetojnë, tek ai i ruajmë gjatë rrugëtimit tonë në jetë. Më kujtohet që kur mora vesh se lundrimi i jetës time do të drejtohej nga Shqipëria, gjëja e parë që lexova mbi të qe ¨Dosja H¨ e Ismail Kadaresë. Në skenën e fundit, varka që largonte profesorin nga Shqipëria pushtohet nga mjegulla e cila i verbon sytë ndërsa përpiqej të kapte zërat e legjendave të lashta e teksa këta zëra humbasin nga sytë e veshët e tij, rrëmben lahutën dhe ato fillojnë të dalin prej gojës së tij me po atë zë të thellë me të cilin që nga lashtësia i recitonin malësorët.
Për këtë arsye nuk ndjen nevojën të takojë malësorët e as të studiojë legjendat e tyre, as të qëndrojë për këtë arsye në Shqipëri. I mbart të gjitha brenda vetes dhe është shndërruar në një prej tyre. E pra, është thelbi i Shqipërisë, i Shqipanjës dhe ai i vendeve e i njerëzve që ndeshim në udhën e jetës, ajo që jeton brenda nesh e që bashkë me ne lundron nëpër detet e saj. Kështu edhe personazhi që mbërriti në detrat e Shqipërisë si Ambasador i Spanjës në Shqipëri, tjetërsohet duke filluar nga ky çast në njeriun që largohet prej tyre me Shqipërinë brenda vetes.
Llorenc Vilallonga, nëpërmjet gojës së njërit prej personazheve të Bearn´-it thoshte se gjysma e parë e jetës është për ta jetuar kurse gjysma e dytë për të medituar e për të shkruar mbi atë c´ka jetuam. Nis kështu udhëtimi i njeriut që me vetëdije e merr brenda vetes Shqipërinë në lundrimin e tij në jetë dhe vendos ta bëjë reflektimin, meditimin dhe aktivitetin mbi të, orientim dhe argument të shpresës së tij. Bashkë me lundrimin që bëjmë me anijet që drejtojmë apo pjesë e ekuipazhit të të cilave jemi, udhëtimi ynë i vërtetë është ai i jetës në këtë botë. Shqipëria nuk është vetëm ajo që mbetet jashtë, që mbetet këtu, por edhe ajo që ndodhet brenda secilit prej nesh, ajo që ndodhet brenda meje jo në të tashmen, por për gjithë jetën.
Prandaj është mbi të gjitha ky, momenti për t´ju thënë: Faleminderit! E kjo sepse Shqipëria jeni ju, të gjithë shqiptarët, realitetet dhe ëndërrat, gjithë bota juaj që e ndatë me mua, krijimet tuaja dhe jetët tuaja. Unë ju falënderoj e ju them që mbetem tek ju dhe që ju vini me mua.
Paçim një udhëtim të mbarë e na qofshin erërat e mbara.
*Fjala e Ambasadorit të Spanjës, Manuel Montobbio, me rastin e finalizimit të misionit të tij në Shqipëri