Tiranë, 16 dhjetor, Update - Ka qenë ora 12:30 kur dy persona kanë arritur të grabisin filialin e NBG në një prej zonave më të populluara të Tiranës. Grabitësit e bankës në Rrugën e Kavajës kanë arritur të marrin prej saj rreth 300 mijë lekë të reja, duke shënuar vjedhjen e radhës të filialeve të kësaj banke në Tiranë.
“NBG” (National Bank of Greece)është një prej bankave që është grabitur në mënyrë të përsëritur në kryeqytet.
Sipas dëshmive paraprake kanë qenë dy persona që kanë hyrë të armatosur në bankën që ndodhet në Rrugën e Kavajës, ose në vendin që njihet me emrin Parku i Autobuzave, në afërsi të ish-Uzinës Enver. Personat kanë qenë të veshur me rroba të zeza dhe kanë pasur kapuçë në kokë, duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre.
Fillimisht ata kanë hyrë si klientë në bankë dhe më pas kanë nxjerrë armët dhe kanë kërcënuar punonjësit.
Ata kanë qenë të armatosur me pistoletë dhe kanë kërcënuar punonjësit e bankës për të marrë të gjitha paratë që kanë gjetur në arkë.
Punonjësit e policisë janë duke parë regjistrimet filmike të kamerave të bankës për të bërë identifikimin e autorëve.
a.k/NOA