Bruksel, 17 dhjetor, NOA-Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, sëbashku me 50 qytetarë, pjesa më e madhe studentë, udhëtuan për herë të parë në kushtet e lëvizjes së lirë për shqiptarët në zonën Shengen në datat 15-16 dhjetor 2010.
Takimi i parë u zhvillua me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit Pierre Mirel, Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Komisionin për Çështjet e Brendshme Luigi Soreca dhe përfaqësuesin e presidencës belge të BE Melcior Wathelet.
“Kemi vendosur në mënyrë të njëzëshme për liberalizimin e vizave dhe kjo është një provë e mirëbesimit që Europa ka për Shqipërinë. Shfrytëzojeni në mënyrën më të mirë këtë liri lëvizjeje”, mësohet të jetë shprehur Mirel gjatë takimit.
Duke shprehur falenderimin për mbështetjen që institucionet e Bashkimit Europian i dhanë procesit, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha theksoi se me lëvizjen e lirë dimensioni i risiguruar europian i shqiptarëve do të sjellë një kontribut pozitiv të
kombit shqiptar për Europën.
Në një nga sallat e punimeve të parlamentarëve europianë në Bruksel, u zhvillua edhe një videokonferencë ku u mundësua një lidhje e drejtëpërdrejtë me Strasburgun.
Vizitorët nga Shqipëria komunikuan në këtë mënyrë me Komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Europian Stefan Fule, Presidentin e Parlamentit Europian. Jerzy Buzek, Kryetarin e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian Eduard
Kukan dhe eurodeputetet Doris Pack e Tanja Fajon.
Data 16 Dhjetor nisi me një takim të posaçëm me Komisioneren për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Europian Cecilia Malmstrom.
Udhëtimi i 50 qytetarëve shqiptarë vijoi në Romë ku u pritën në takim nga Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini, një nga personalitetet më të rëndësishëm të Bashkimit Europian që ka mbështetur fuqimisht liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Ky komunikim vjen nëpërmjet një deklarate për mediat dhënë nga zëdhënësi i ministrisë së Brendshme Fatmir Konja.
a.y/ NOA