English

Edi Rama, protestë në Vlorë: Berisha ik, po drejton një qeveri të paligjshme

Vlorë, 17 Dhjetor 2010 NOA Update - Opozita e Bashkuar ka zhvilluar të premten një protestë në Vlorë, ku përveç kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama ishin të pranishëm edhe përfaqësues të “Opozitës së Bashkuar” si Vangjel Dule Paskal Milo dhe Spartak Ngjela. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama denoncoi sërish faktin se vendi qeveriset nga një qeveri e paligjshme qe nuk e ka lënë popullin të zgjedhë. Ai u shpreh se Berisha ka dështuar dhe ka lënë në baltë Shqipërinë sepse qeveria e tij nuk varet nga populli.

Fakti që sot populli varet nga qeveria tha Rama është në thelb të krizave që po përjeton sot vendi. Shqiptarët nuk përfitojnë dot nga vizat për shkak të varfërisë, Shqipëria përmbytet nga abuzimet e qeverisë sepse Berisha ka dështuar.

“Ndërkohë kryeministri që i ka hequr popullit të drejtën për të votuar të lirë ka ndezur makinerinë e baltës kudër opozitës, në një kohë që shqiptarët paguajnë më shtrenjtë se kurrë çmimin e dështimit të Berishës”, - theksoi Rama.

Një nga çështjet ku kreu i PS u ndal në fjalën e tij ishte ajo e vendosjes se TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) për ilaçet duke rritur kështu çmimin e tyre për njerëzit më në nevojë të vendit.

Berisha, tha ai, vendos taksa për milionerët por vendos taksa edhe për pensionistët e të papunët.

Më pas Rama u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen për të rimarrë të drejtën e votës së lirë dhe deklaroi se opozita është sot më e fortë se kurrë në një kohë kur ajo i duhet Shqipërisë më shumë se kurrë.

Ai u shpreh se kryeministri rri si gjeli majë plehut mbi kutitë e mbyllura, por se opozita dhe shqiptarët do ta largojnë atë për ti hapur rrugë të ardhmes.

Në fjalën e tij Vangjel Dule u shpreh se vendi është mbërthyer nga kriza më e madhe pas rënies së regjimit të komunist dhe se rruga e së ardhmes kalon përmes transparencës dhe zgjedhjeve të reja "Jemi përditë me njerëzit që i kanë mbytur hallet.

Vendi dështoi në marrjen e statusit së kandidatit dhe ky dështim ka përgjegjës vetëm Berishën. Kryeministri dhe qeveria janë të papërgjegjshme dhe ilegjitim. Ne do ta hapim së bashku rrugën e transparencës dhe rrugën e zgjedhjeve të reja. Rrugën e të ardhmes Europiane”, - u angazhua Dule.

Thirrjet për largimin e qeverisë u përsëritën edhe nga Paskal Milo i cili u shpreh se me Berishën nuk ka demokraci në Shqipëri dhe se opozita shqiptare është e gatshme të marrë përsipër misionin e largimit të qeverisë.

Ndërkohë që Spartak Ngjela deklaroi se në Shqipëri nuk ka shtet dhe e denoncoi kryeministrin si një keqbërës me vullnet që ka manipuluar votën dhe po shkatërron çdo ditë vendin.

e.r/NOA

KOMENTE