Koalicionet e natyrshme, më pak të natyrshme dhe aspak të natyrshme: Nuk besoj aspak në vija të kuqe të koalicioneve të mundshme. Madje, vijat e kuqe vetëm sa e rrisin nivelin e adrenalinës, sikur në luftën me dema në Spanjë. Ngjyra e kuqe e provokon demin i cili sulet drejt toreadorit i cili pastaj përfundon si hot-dog në njërin nga restorantet ekskluzive të Madridit, Barcelonës, Bilbaos apo Malagës
Nga Behxhet Sh. Shala
Sa mund të besohet: Nuk bëjmë koalicion me këtë parti sepse kanë vjedhur. Tjetra parti nuk i paska duart e pastërta. E paskan dëmtuar Kosovën sepse po bisedojnë me Serbinë. Kanë lidhur kumari me Ahtisarin andaj nuk i duam. Nuk i duan miqtë ndërkombëtarë sepse janë kundër integrimeve euro- atlantike. Janë shokët e Tan Lepurit. I kanë shkërdhyer nënën Misim Qelit.
Nuk e përkrahin programin tonë ekonomik dhe janë nën hetime. Perceptimet janë se nuk janë mjaft seksi. Po e kundërshtojnë demokracinë e demokratit të dëshmuar Moamer el Gadafi. Kanë qeverisur keq. E duam qypin me para ( ministrinë e financave). Nuk ishin në gjendje t’i hapin as 1500 vende të reja pune ndërkaq që ne, pa asnjë problem i hapim 2. 500. 000 vende pune. Nuk e duam Hashimin që është nga Drenica e as Hidajetin që është nga Prelepnica. Nuk e duam Ramushin, nuk e duam Bujarin, as dajën Isë e as Rrahim Bugarin.
Ani Adem Demaçin që është pjesë e kaluar e historisë dhe pengesë e ardhmërisë. Këtë nuk e ka thënë Idi Amini nga Afrika por një teneqe nga Amerika. Po pse kjo urrejtje aq e madhe midis kosovarëve dhe kosovarëve dhe shqiptarëve dhe kosovarëve? Po nëse mund të bësh koalicion me Draganin dhe Milutinin pse atëherë nuk mund ta bësh të njëjtën gjë me Ramushin dhe Albinin?
Po nëse Dick Marfy i është bërë prokuror Hashimit a i takon kjo detyrë Luleborës, Ardianit dhe Rrotel Selimit? Po kërkohen kushte sterile në politikë kur të njëjtat nuk i kemi në asnjë klinikë. Kjo luftë e ftohtë që bëhet midis subjekteve politike në Kosovë nuk ka ndonjë kuptim përveç se me çdo kusht duan ta marrin pushtetin, duke e dëmtuar shtetin. Në Gjirin e Derrave (Kubën e Don Fidel Kastros me më shumë se 35.000 të dashura.) gati pati shpërthyer lufta nukleare midis Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës shkaku se rusët patën dërguar në Kubë raketa me mbushje bërthamore.
Fatmirësisht kjo katastrofë u mënjanua. Po a do të mënjanohet katastrofa në Kosovë? Është shumë vështirë dhe e paparashikueshme. Lufta brenda llojit është shumë e rrezikshme, madje më e rrezikshme se ajo bërthamore sepse synimi është të asgjësohet kundërshtari politik të cilin në fakt e perceptojnë si armik të përbetuar. I tregojnë muskujt njëri – tjetrit në kohën kur para miqve ndërkombëtarë shndërrohen në lepuj të Sheh Besimit.
Flasin fjalë të mëdha para opinionit në kohën kur duke fjetur në të njëjtin shtrat i kanë mbaruar punët. Pastaj i harrojnë fjalët e mëdha dhe premtimet duke u thirrur në interesin e Kosovës të cilin e mbrojnë aq sa edhe ate të Afganistanit. Prandaj, kjo kakofoni patriotike nuk më duket aspak etike.
Koalicionet e natyrshme, më pak të natyrshme dhe aspak të natyrshme: Nuk besoj aspak në vija të kuqe të koalicioneve të mundshme. Madje, vijat e kuqe vetëm sa e rrisin nivelin e adrenalinës, sikur në luftën me dema në Spanjë. Ngjyra e kuqe e provokon demin i cili sulet drejt toreadorit i cili pastaj përfundon si hot-dog në njërin nga restorantet ekskluzive të Madridit, Barcelonës, Bilbaos apo Malagës. Nëse hipokrizia në jetën e përditshme llogaritet si ves te një numër i politikanëve llogaritet si virtyt. Si mjet i lejuar legalisht për të siguruar mbijetesën.
Jo vetëm politike. Merreni psh. Berluskonin. Sa më shumë të bëjë afera korruptive apo seksuale, aq më shumë i rritet ndikimi dhe i forcohet pushteti. Aferat seksuale te ne nuk përmenden pasi që jemi popull me moral të lartë dhe se jemi të sigurt se kjo nuk mund të jetë pjesë e përshkrimit të aktiviteteve të politikanëve tanë. Prioritet i kanë do aktivitete tjera.
Një pjesë e tyre prandaj nuk dua të më keqkutoni se dua ta globalizoj këtë dukuri. Është bërë modë që çdo koalicion t’i përfshijë pjesëtarët e pakicave e me këtë nënkuptohet pakica serbe sepse pakicat tjera nuk llogariten as si pakica. Me një fjalë, nëse i keni futur serbët në qeveri (pavarësisht se shumë herë nuk janë lojalë ndaj postit që e kanë) i keni integruar ata, e keni quar në vend testamentin diskriminues të Ahtisarit dhe u hyni në qejf miqve ndërkombëtarë.
Më ka rënë në shumë takime që zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës të përkatësisë etnike serbe të dalin haptazi në anën e Serbisë ndërkaq që ky diversion ka kaluar në heshtje nga institucionet e Kosovës. Pjesë e institucioneve të Kosovës duhet të jenë të gjithë ata që e duan Kosovën, i shërbejnë Kosovës dhe qytetarëve të saj pavarësisht përkatësisë nacionale që e kanë. Posti politik nuk duhet të kushtëzohet me përkatësi etnike dhe si i tillë të jetë privilegj për një përkatësi etnike siç po veprohet tash.
Sepse po e krijon një kastë politike të privilegjuar, të papërgjegjshme, jolojale dhe e cila ka imunitet për shkak të përkatësisë penale. Dikur edhe Oliver Ivanoviq ka qenë pjesë e institucioneve të Kosovës, si dhe Bogdanoviq, Todoroviq dhe shumë të tjerë. E ku janë tani?
Besoj se nuk ka nevojë fare të përgjigjem. Së fundi edhe llapjanka ime me të cilën e kemi kaluar një pjesë të fëmijërisë në Besianë ( Podujevë), llepa Rada (Trajkoviq) del haptas kundër koalicionit me Hashim Thaçin duke paragjykuar përgjegjësinë e tij në bazë të një raporti të trilluar të Dik Martit. Madje, ajo thotë se pas këtij raporti nuk do të ketë serb që do të bëhen pjesë e koalicionit me partinë që e drejton Hashim Thaçi.
Sa është sygjerim që të mos hyjnë në koalicion me Hashim Thaçin njëherësh është edhe një kërcënim për ata serbë që eventualisht duan të bëhen pjesë e këtij koalicioni. Prandaj, mendoj se PDK është krejt e natyrshme të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen dhe AAK me të cilat do t’i siguronte mbi 61 vota të qëndrueshme dhe vota për Kosovën e pastaj si pjesë e këtij koalicioni do të bëheshin edhe pakicat.
Ky do të ishte një koalicion i qëndrueshëm dhe i motivuar. Këto tri subjekte politike janë krahu i luftës dhe shumë gjëra do të duhej t’i kishin të përbashkëta. As koalicioni me LDK-në nuk do të duhej të ishte përjashtues ndonëse daja Isë ( Mustafa) refuzimin e koalicionit me PDK-në e ka ngritur në nivelin e problemit të ngrohjes globale. Koalicioni që po përfolet më së shumti midis PDK-së, minoriteteve dhe AKR-së nuk është kurrfarë koalicioni por një arrnim që i mbyllë vrimat vetëm përkohësisht dhe pas një kohe të shkurtër, nuk do të dihet cili është arrni e cili është thesi.
Në rastin konkret do ta kishim një opozitë shumëfish më të fuqishme dhe më me legjitimitet se pozita në pushtet. Koalicion PDK, pakicat dhe AKR nuk do të kishte legjitimitet ( në radhë të parë moral) për as një vendim për Kosovën. AKR nuk ka vota të mjaftueshme të jetë partner serioz për një koalicion të qëndrueshëm. Madje, nëse përpjesëtohen votat e fituara e koalicionit për Kosovë të Re që përbëhet prej 7 subjekteve atëherë del se një subjekt i këtij koalicioni nuk ka fituar më shumë se 1% të votave.
Paramendojeni situatën kur pas formimit eventual të këtij koalicioni tërhiqet ndonjë parti e pakicave apo e koalicionit për Kosovë të Re. Menjëherë bjen qeveria dhe hyjmë në krizë qeveritare. Apo kur duhet të zgjidhet presidenti për të cilin duhen 2/3 e votave në Kuvend. E kuptoj dëshirën e AKR të bëhet me çdo kusht pjesë e qeverisë. Këtë gatishmëri e ka dëshmuar gjithmonë duke u shndërruar në “ nuse për të gjitha martesat”. E kuptoj gjakimin e pronarit të AKR-së që të bëhet president i Kosovës me çdo kusht dhe me çdo çmim. Këtë nuk e ka mëshehur asnjëherë. Në fund të fundit, pse mos të bëhet.
Madje, me të gjitha përgjegjësitë e them se sot Kosova nuk e meriton një president më të mirë. Çfarë është shteti, i tillë duhet të jetë presidenti. Me rëndësi është që Behgjet Pacolli të bëhet president me votën e qytetarit të Kosovës. Ka këmbëngulur që vetëm në këtë mënyrë do të bëhet president. Dhe e ka votën e qytetarit të Kosovës. Diku 1% të kësaj vote.
Daja Isë dhe kometa e Hallejt: Isa Mustafa po dëshmohet se është supermen duke refuzuar çdo koalicion me PDK, në nivelin lokal, qendror dhe planetar. E pati një paraqitje për çdo admirim kur thirri simpatizantët e LDK-së të mos bëhen pjesë e ngritjes së tensioneve me ata të PDK-së e që për pasojë do të kishte dhunë të pakontrolluar. Të gjithë e pëlqyen dhe përkrahën paraqitjen e tij.
U angazhua se do t’i përkrah vendimet e KQZ për rezultate. Prej një njeriu të qetë dhe gjakftohtë u shndërrua në një person të rrëmbyeshëm i cili nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve dhe kërkon që ato të përsëriten në nivel të vendit dhe jo vetën në vendvotimet ku ka pasur parregullësi. Po kërkon formimin e një qeverie teknike. Kam qenë kundër këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe të parakohshme sepse kam ditur se çfarë efektesh mund të prodhojnë.
As LDK nuk është dashur t’i pranojë këto zgjedhje sepse për shkak të problemeve të brendshme e ka pasur shumë vështirë që të konsolidohet për një kohë aq të shkurtër. Madje, e them se LDK ka arritur shumë në këto zgjedhje. Jashtë çdo parashikimi.
Nuk është humbëse aspak. Gjithashtu, pa asnjë dyshim për LDK-në në këtë faze të procesit që po e kalon Kosova (kur e presin bisedimet me Serbinë nga të cilat do të dali krejt e qullur) do të jetë shumë më e shëndetshme politikisht të mbetet opozitë. Mund të humb në planin taktik por do të fitoi në planin strategjik.
Por jo në këtë mënyrë duke kontestuar çdo gjë dhe duke u bërë kundër të gjithëve. Është e vërtetë që ylli i Isa Mustafës shkëlqeu fuqishëm kohëve të fundit dhe se merita kryesore e tij ishte se e shpëtoi LDK-në nga shpërbërja dhe vdekja përfundimtare politike pasi që klinikisht ishte e vdekur moti mirëpo, duhet ta ketë parasysh seriozisht faktin se në këtë konstelacion të galaktikës politike ku ndërkombëtarët e kanë timonin e Kosovës në duart e tyre mund lehtë të shndërrohet në një bisht të kometës e cila do të përplaset për toke. Dhe se kjo përplasje do të jetë lajm vetëm për një ditë. Uroj të mos ndodhë kjo përplasje.