Prishtinë, 17 dhjetor, NOA - Hetuesit e EULEX-it nuk kanë gjetur të dhëna se në atë lokacion (Shtëpia e Verdhë) ka pasur operime me organe njerëzore, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e misionit të BE-së në Kosovë, Kristina Herodes.
Sipas saj, nëse dikush ka dëshmi konkrete që do t’i mbështesnin akuzat e përmendura në raport, duhet t’iu drejtohet autoriteteve adekuate.
Raporti i fundit i raportuesit për Këshillin e Evropës, Dik Marti, i cili u prezantua sot në Paris, akuzon kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, për udhëheqjen e një mafie që, sipas raportit, është e përfshirë në trafikimin e drogës, organeve njerëzore dhe armëve. A ka EULEX-i informata që mund t’i mbështesin këto akuza?
Ne jemi duke shikuar raportin në hollësi dhe nuk duam të bëjmë ndonjë ndërlidhje me askënd. Nëse dikush ka dëshmi konkrete që do t’i mbështesnin akuzat e përmendura në raport, duhet t’iu drejtohet autoriteteve adekuate.
Raporti përmend edhe rastin e Medicus-it. A ka ndonjë ndërlidhje të akuzave ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me rastin Medicus?
Seanca e konfirmimit për rastin e ashtuquajtur “Medicus” nisi të martën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Gjatë seancës, prokuroria lexoi akuzat dhe faktet e padisë. Pesë nga të pandehurit u deklaruan të pafajshëm; dy të tjerët heshtën, që, sipas ligjit, nënkupton deklarim i pafajësisë.
Seanca e konfirmimit do të vazhdojë më 6 janar të 2011-ës, për shkak të disa mosmarrëveshjeve ligjore që duhet të zgjidhen brenda kësaj kohe.
Janë shtatë të pandehur, të cilët akuzohen për përfshirjen në një rrjet të trafikimit me njerëz, duke rekrutuar, transportuar dhe shfrytëzuar njerëz për zhvendosjen dhe transportimin e pjesëve të trupit; pastaj për keqpërdorim të detyrës nga zyrtarë të lartë, veprime të paligjshme mjekësore dhe procedura të tjera mjekësore, përfshirë zhvendosjen e organeve njerëzore dhe transportimin e tyre.
Ky rast filloi në vitin 2008 dhe në fillim hetohej nga Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut.
Zonja Herodes, EULEX-i ka shqyrtuar çështjen e krimeve të luftës me të ashtuquajturën “Shtëpinë e Verdhë”, që përmendet gjithashtu në raport. A ka dëshmi që flasin për krime të bëra në atë kohë në këtë lokacion?
Duhet t’i ndajmë dy hetime: njëri ishte kryer nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës dhe nuk ka ndërlidhje me padinë lidhur me rastin ‘Medicus’. Këto raste janë të ndara. Hetuesit dhe prokurorët për krime të luftës në EULEX kanë hetuar rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë”, por nuk kanë gjetur dëshmi apo të dhëna që do të na bënin të besojmë se në atë lokacion ka pasur transplantim dhe operime me organe njerëzore. Por, nëse kanë ndodhur lloje të tjera të aktiviteteve kriminale në atë shtëpi, nuk kemi të dhëna për momentin.
Raporti flet gjithashtu për trafikimin me drogë dhe armë. Zyrtarë të lartë të EULEX-it kanë theksuar, ditë më parë, se hetimet lidhur me këtë janë duke vazhduar dhe së shpejti do të ketë rezultate. Kur mund të priten rezultatet?
Ka shumë raste lidhur me krimet e luftës që janë duke vazhduar. Është për shembull një rast që ndërlidhet me Shqipërinë e veriut dhe objektet e UÇK-së atje. Është në pritje të gjykimit kryesor dhe ndërlidhet me dy persona që akuzohen të jenë të përfshirë në dy incidente, të cilat kanë ndodhur në objektet e Kuksit dhe të Koha-s në Shqipëri.
Rasti ndërlidhet me keqtrajtimet eventuale të personave që janë mbajtur në objektet e UÇK-së në veri të Shqipërisë, gjatë konfliktit të 1999-ës. Mirëpo, as ky rast, deri më sot, nuk ka treguar ndonjë ndërlidhje me rastin e “Shtëpisë së Verdhë”.
REL