Tiranë, 17 dhjetor, NOA – Raporti i parlamentarit zviceran ka vënë në lëvizje gjithë strukturën shtetërore në vend. Akuzat anti-shqiptare të hedhura për drejtuesit e UÇK-së, pavarësisht mungesë së provave, kërkojnë një reagim institucional pasi implikojnë dhe Shqipërinë në ashtuquajturën kontrabandë armësh dhe organesh.
Ministria e Jashtme ka deklaruar sot se raporti i Dik Martit është i pabazuar në prova dhe se për të njëjtat akuza institucionet ndërkombëtare të hetimit të krimeve kanë deklaruar se nuk mbështeten në prova.
“Rikujtojmë se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova”, thuhet në reagimin publik të ministrisë së Jashtme.
Në reagim theksohet se gjatë institucionet shqiptare i kanë ofruar gjithë ndihmën e nevojshme Dik Martit gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe se deklaratat e tij për mungesë bashkëpunimi nuk qëndrojnë.
“Përmbajtja e raportit të z. Marty, si dhe pretendimet se autoritetet shqiptare nuk kanë bashkëpunuar në hetim janë krejtësisht të pavërteta, spekulative dhe shpifëse.
Institucionet e Republikës së kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe vetë z. Marty gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2009”, thuhet në deklaratë e Ministrisë.
Gjithashtu diplomacia shqiptare deklaron se raporti është totalisht i pabazuar në fakte, prova apo realitet, çka dëshmon qartë për anësi politike të autorit, duke përbërë abuzim me autoritetin e Këshillit të Evropës. Një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe maturisë që përçon Këshilli i Evropës.
“Ministria e Punëve të Jashtme përsërit publikisht gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa asnjë rezervë me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në këtë çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me Këshillin e Evropës”, thuhet në deklaratë.
a.k./NOA