English

Përkeqësimi i motit, Policia merr masa për makinat

Tiranë, 17 dhjetor, NOA - Nisur nga përkeqësimi i situatës së motit, si dhe nga vështirësitë e krijuara në qarkullimin e automjeteve si rezultat i reshjeve të dëborës dhe akullit, Policia e Shtetit ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjitha akset nacionale.

Kështu, shtimi i prezencës së shërbimeve policore në akset rrugore është bërë me qëllim për të parandaluar ngjarjet e mundshme aksidentale, si dhe për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve gjatë lëvizjes së tyre në akset ku paraqiten vështirësi.

Konkretisht, Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e shërbimeve të pandërprera të policisë, gjatë 24 orëve, në akset rrugore.

Shërbimet e Policisë Rrugore, janë duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me zinxhirë, në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë.

Po ashtu, nga shërbimet e policisë po bashkëpunohet me strukturat e Pushtetit Vendor dhe subjektet për Mirëmbajtjen e Rrugëve, të cilat janë duke punuar në vazhdimësi për t’i mbajtur këto akse të lira për trafikun, me mjete borëpastruese, fadroma, si dhe duke shpërndarë e sasinë e nevojshme të skories e kripës.

Më tej, Policia e Shtetit i rekomandon drejtuesve të automjeteve që të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku dëbora dhe ngricat janë të pranishme, si dhe të respektojnë normat e shpejtësisë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale me pasoja për jetën dhe shëndetin e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE