English

Prezantohet sistemi i ri i matjes së tokës, Pollo: Dixhitalizimi i vendit garanton zhvillimin

Kukës, 17 dhjetor, NOA – Futja e programeve të reja dixhitale në studimet dhe projektet rajonale në vend do të sjellë dhe një cilësi më të lartë të dokumentacioneve të qarqeve në vend.

Për këtë qëllim sot Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo ishte i pranishëm në një takim informues për sistemet GIS (Geographic Information Systems) me Kryetarët e Këshillave të Qarqeve në vend, si dhe përfaqësues nga institucionet shqiptare.

“Këtu mblidhemi për të shpërndarë një eksperiencë, që në qershor të këtij viti, ne e gjetëm në qarkun e Kukësit, ku mbajtëm një seminar për të mësuar përvojën e mirë, që ishte arritur atje, nëpërmjet regjistrimit digjital të të gjithë dokumentacionit të kadastrës. Kjo nëpërmjet zhvillimit të një softueri të përshtatshëm, i cili krijon lehtësi për të tërë, përdoruesit, në radhë të parë, punonjësit e Këshillit të Qarkut, që përditë punojnë me dokumentacionin mbi pronën dhe për të përfunduar te publiku, që do të marrin tani e tutje përgjigje të shpejtë e të saktë”, tha ministri Pollo.

Ai u shpreh se ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm dokumentacioni i pronave, mosrakordimet në harta dhe proceset gjyqësore. Me sistemin e ri do të mund të arrihet një cilësi më e lartë e matjeve dhe e ndarjes së pronave.

“Jetojmë në një kohë ku sistemet GIS janë një standard, që po përdoren gjithandej dhe duhet të përdoren edhe në vendin tonë. Për fat të mirë, në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian kemi përkrah norma evropiane, siç është direktiva INSPIRE, që do të ndihmojë për hartimin e bazës sonë ligjore në këtë sektor. Dhe kjo e fundit do të mund të sigurojë ndërveprueshmërinë midis qarqeve dhe institucioneve e tjera”, tha ministri Pollo.

Ministri u ndal edhe në projektin e qeverisë Shqipëria Digjitale dhe u shpreh se ky është një kusht kryesor për zhvillimin e vendit.

Në takim ka folur dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, Shefqet Bruka. Ai u shpreh se në qershor të këtij viti, Qarku Kukës, duke u mbështetur totalisht në burimet e brendshme financiare, krijoi një sistem elektronik digjital të ngjashëm, GIS, me të cilin këtej e tutje do të ruhet dhe administrohet i gjithë dokumentacioni për administrimin tokës të këtij Qarku.

Sistemet GIS po përdoren sot në fusha nga më të ndryshmet, si hartografimi i një territori të caktuar, menaxhimi i resurseve të ndryshme në planifikimin rajonal e territorial dhe po kthehet gjithnjë e më shumë në një mjet shumë efecient në vendimmarrje, për shkak të të dhënave të sakta të modelimit hapësinor të një fenomeni fizik apo shoqëror, që ky sistem ofron.

Baza unike hartografike që pritet të ndërtohet në vend, nisur dhe nga standardet evropiane, do të shërbejë për krijimin e GIS-eve në fushat e bujqësisë, kadastrës, planifikimit të territorit, gjeologjisë, mjedisit, turizmit etj, por edhe për përdorime të tjera të karakterit projektues dhe zbatues në vepra të ndryshme inxhinierike.

Në vitin 2007 Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Europës aprovuan direktivën INSPIRE a.k/NOA

KOMENTE