Tiranë, 17 dhjetor, NOA – Janë një sërë problemesh që i bëjnë ndërkombëtarët të shprehin rezerva në lidhje me luftën ndaj korrupsionit në vendin tonë. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfarth ka deklaruar se transparenca e financimeve të partive dhe mungesa e dënimeve të ashpra bëjnë që puna e institucioneve të mos jetë mjaft efiçente.
“Mungesa e transparencës dhe baza e paqartë ligjore në përforcimin e të drejtave të pronësisë është një fushë që mundëson praktikat korruptive dhe dëmton në themel qëllimin e krijimit të një tregu funksional të tokës dhe transparenca lidhur me financimet e partive mbetet gjithashtu shqetësuese”, tha sot Uollfarth në takimin e zhvilluar mbi rolin e mediat në luftën kundër korrupsionit.
Duke u ndalur në financimin e partive Uollfarth tha se edhe pse Kodi Zgjedhor kërkon që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbledhë deklaratat financiare të partive politike, ai nuk i ka mjetet e duhura për të hetuar burimet e financimit, dhe gjithashtu nuk ekziston detyrimi për të raportuar mbi donacionet e bëra nga sektori privat.
“Veç kësaj, angazhimi i autoriteteve kombëtare për të luftuar korrupsionin nuk pasqyrohet gjithmonë përmes zbatimit të vazhdueshëm të legjislacionit ekzistues dhe ndjekjes së çështjeve penale”, tha ai.
Përfaqësuesi i OSBE-së ka theksuar se problem tjetër është dhe gjykimi i akteve të korrupsionit.
“Mbetet ende për t’u krijuar një histori bindëse e aktgjykimeve, dhe dënimeve të forta dhe të duhura dhe/ose gjobave në rastet e korrupsionit”, tha Uollfarth.
Ai ka kërkuar dhe një trajtim të prerë dhe transparent i rasteve kur pretendohet se ka pasur korrupsion, pavarësisht nga statusi i të akuzuarve, është një tregues i rëndësishëm i pavarësisë së gjyqësorit.
Ai ka theksuar se edhe media duhet të ketë një standard thelbësor në inkurajimin e përgjegjshmërisë gjatë proceseve vendimmarrëse.
“Një media e lirë duhet të shërbejë si një kundërpeshë e fortë dhe e gjallë ndaj korrupsionit në jetën publike dhe për këtë arsye ajo meriton mbrojtje të veçantë. Ata janë përgjegjës për raportimin e fakteve dhe jo për marrjen e rolit të gjyqtarit dhe jurisë”, tha ambasadori i OSBE.
a.k./NOA