Tiranë, 18 dhjetor, NOA - Fillimisht nisi punën në vitin 1920 me një spital të vogël, i cili ndodhej në krah të Bashkisë së Tiranës, dhe më pas u ngrit në një godinë të vërtetë gjatë kohës së Mbretërisë, në vitin 1932, aty ku edhe sot pas 90 vitesh ndodhet për t’iu gjendur të sëmurëve në çdo kohë dhe në mënyrë të kualifikuar... Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka përkujtuar sot, 90 vjetorin e krijimit të saj. I pranishëm në këtë aktivitet, kreu i shëndetësisë, Petrit Vasili e cilësoi QSUT-në si institucionin më të rëndësishëm në vend, por edhe në rajon, një prodhues të vërtetë të shëndetit.
“QSUT mbetet një nga institucionet më të rëndësishmë në vend, i cili nuk e ka ndalur kurrë ritmin e të ecurit përpara. Falë vullneteve dhe aftësive të stafit në këtë institucion, janë realizuar edhe ndërhyrjet të cilat kanë qenë të pamundura, por më pas janë kthyer në realitete dhe në shërbim për pacientët. Në këtë spital është prodhuar shëndet”, pohoi gjatë përshëndetjes së tij ministri i Shëndetësisë.
Sipas tij, duhet të vlerësohen me mijëra persona, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për të arritur deri në këtë moment, kur e gjithë popullata gjen shërbim të specializuar dhe mjekë të kualifikuar.
Ndërsa drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku theksoi se QSUT në të ardhmen do të jetë në krah të pacientit duke i ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme.
“Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në sukseset e këtij institucioni. Po kështu dua të garantoj se unë do të jem pranë çdo mjeku të QSUT-së, për të zgjidhur të papriturat në punë, si dhe në krah të çdo pacienti i cili vjen për tu kuraur tek ne. Kjo edhe me investimet që po kryhen në këtë qendër, duke i ofruar pacientit apraratura të fjalës së fundit”, nënvizoi Ivziku.
Gjatë prezantimit të 90-viteve histori të Spitalit të Tiranës morën pjesë mjekë dhe profesorë të dalë në pension, të cilët kanë punuar dhe dhënë kontributin e tyre të paçmuar në këtë institucion për vite e vite me radhë.
Të dhënat historike tregojnë se operacionet e para në QSUT janë kryer nga kirurgët e njohur Osman Jonuzi dhe Frederik Shiroka, ndërkohë që materniteti i parë është hapur në vitin 1937.
mit/NOA