Tiranë, 18 dhjetor, NOA – Disa ditë pas publikimit të raportit të eurodeputetit zviceran Dick Marty, i cili akuzon udhëheqës të UÇK-së, ndër ta edhe kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, si bosë të mafies, por edhe kriminelë dhe trafikantë organesh të të burgosurve serbë të keqtrajtuar në përfundim të konfliktit me Serbinë në vitin 1999, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto thirri sot në një takim ambasadoren e Zvicrës, Ivana Enzler. Duke patur si lajtmotiv të bisedës deklarimin e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte, aktualisht Ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, e cila mbështeti raportin e Dick Martyt për trafikimin e organeve në Kosovë, Ministri Haxhinasto u shpreh se deklaratat e zonjës Del Ponte janë të papranueshme dhe shtrembërojnë realitetin, në të cilin janë zhvilluar hetimet në vitin 2003, për akuzat për trafikim të organeve njerëzore, të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë.
Por, duke iu përgjigjur, Ambasadorja Zvicerane e siguroi kreun e diplomacisë sonë, se pikëpamjet e shprehura nga Karla Del Ponte në intervistën për Euroneës janë pikëpamjet e saj personale dhe nuk shprehin aspak qëndrimin apo pikëpamjet e qeverisë së Zvicrës.
Ish-kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Karla Del Ponte ka shkruar për këto akuza të Martyt në librin e saj “Gjahu”, të cilit duket t’i jetë referuar edhe raportuesi për çështjet ligjore dhe të drejtësisë në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-s, Dick Marty, sa i përket “Shtëpisë së verdhë” që ndodhet në fshatin Ibë të Burrelit, aty ku kryheshin operacionet e marrjes së organeve të të burgosurve serbë.
Del Ponte gjatë një interviste të dhënë së fundmi duke mbështetur raportin e Dick Martyt ka deklaruar se “Informacionet e publikuara në librin ‘Gjahu’, çoi në këtë hetim. Jam e tronditur dhe thellësisht në gjendje të vështirë, nga gjetjet, se kishte vrasje të të burgosurve me qëllim të heqjes së organeve të tyre dhe shitjen për fitim, e kryer nga anëtarë të lartë të UÇK-së, duke përfshirë disa individë që mbajnë pozita të lartë në qeverinë aktuale të vendit”.
Mandej ish-kryeprokurorja tha se në librin e saj ka prova të besueshme dhe të verifikueshme fizike, që sipas del Pontes janë marrë nga hetuesit e Tribunalit të Hagës dhe të UNMIK-ut, kur ata kryen një mision në Shqipëri në vitin 2003 në bashkëpunim edhe me prokurorinë shqiptare.
Por, sikundër u deklarua, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi e mbylli hetimin pasi nuk gjeti prova për të vërtetuar pretendimet e ish-kryeprokurores Karla del Ponte.
Por, raporti i Dick Martyt është kundërshtuar publikisht edhe nga Tirana zyrtare, Presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe kryesocialisti Edi Rama, të cilët në bllok i hodhën poshtë akuzat e eurodeputetit marty, duke i cilësuar akuzat shumë të rënda dhe të papranueshme, që i referohen politikave të njohura të Serbisë kundër kosovës.
Edhe ministri i Jashtëm Francez dhe ish-shefi i UNMIK-ut Bernard Kouchner, pas luftës në Kosovë, deklaroi në një intervistë për BBC se nuk kishte asnjë djeni për krimin e organizuar, duke bërë me dije se ishte shumë skeptik ndaj akuzave për trafikim organesh.
"Reagimi im i parë, dhe unë e lexova atë me shumë kujdes, është se jam shumë skeptik në lidhje me realitetin e këtyre akuzave për trafikim të organeve, por reagimi im i dytë është le t'i hetojnë ato”, tha Kouchner në një intervistë për BBC-në.
Vetë kryeministri Thaçi dy ditë më parë i cilësoi akuzat e Martyt si krejhtësisht të shpifura dhe abuzive, akuza që sipas tij fyenin rëndë jo vetëm atë si kryetar i qeverisë së Kosovës, por edhe UÇK-në e cila luftoi për të drejtat e Kosovës dhe lirinë e saj.
“Unë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, por para së gjithash, si qytetar dhe si prind, ndjehem i fyer rëndë nga akuzat e pabaza që Dik Marti ka bërë ndaj meje, ndaj bashkëluftëtarëve të mi, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe mbi të gjitha ndaj vendit dhe popullit tim”, theksoi në një konferencë për shtyp kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Më tej ai do të vijonte se “Ua kemi borxh të gjithë atyre, dhe mbi të gjitha, fëmijëve tanë dhe gjeneratave që do të vijnë pas nesh, që vlerën më sublime që e krijuam të bashkuar si popull e që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës ta ruajmë nga tendencat për njollosjen e rolit të saj heroik dhe historik”, tha Thaçi duke bërë me dije se do të bënte të gjitha përpjekjet për nxjerrjen në shesh të së vërtetës.
mit/NOA