Bruksel, 18 dhjetor, NOA – Bashkimi Evropian (BE) sërish ka tërhequr vërejtjen për realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, 10 vite pas nënshkrimit të saj.
Konkluzioni për implementimin e dokumentit të paqes që ndërpreu konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni u përfshi dje në dokumentin përfundimtar të Samitit të BE-së në Bruksel.
Në konkluzionet e miratuara, nga autoritetet shtetërore të Maqedonisë është kërkuar që të vazhdohet me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një element kyç për demokracinë dhe sundimin e së drejtës në vend.
Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së nënvizuan se gjatë presidencës së radhës të Hungarisë që fillon më 1 janar 2011 do të rikthehet në agjendë çështja e caktimit të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Partitë politike shqiptare janë të ndara rreth vlerësimit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shumica e partive opozitare nuk janë të kënaqura me implementimin praktik të këtij dokumenti që avancon pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.
NOA-INA