Shkup, 18 dhjetor, NOA – Imer Selmani, Kryetari i partisë shqiptare Demokracia e Re, në Maqedoni, ka akuzuar sot qeverinë maqedonase të Nikola Gruevskit se me politikat e saj të kritikuara edhe nga Bashkimi Evriopian po izolon vendin dhe dita ditës po rrezikon ëndrrën e popullit maqedonas për një Maqedoni Evropiane. Këtë deklaratë Imer Selmani e bëri pas dështimit sikundër tha ai të samitit më të fundit të BE-së, që rezultoi me një epilog negativ për Maqedoninë, duke bërë që izolimi dhe perspespektiva e Maqedonisë, tashmë ka marrë hov shqetësues.
“Edhe këtë herë, krerët e shteteve-anëtare të BE-së në mënyrë implicite konstatuan atë që një kohë të gjatë është kritikë e Demokracisë së Re ndaj politikave të qeverisë aktuale VMRO-DPMNE dhe BDI”, tha në një deklaratë për shtyp, kreu i Demokracisë së Re.
Sikundër tha ai, partia Demokracia e Re, kishte ngritur më herët shqetësimin se kishte ngecje në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e verifikuar edhe nga BE-ja. “Ne ngritëm alarmin se po ngecin reformat në luftën kundër korrupsionit; se shteti po ballafaqohet me mungesën e dialogut të mirëfillitë politik; kanë ngecur në vend numëro reformat në sistemin gjyqësor; se administrata publike është e politizuar; se cënohet liria e shprehjes; se nuk ka klimë të volitshme për biznesin; dhe se pa kompromis rreth emrit të Maqedonisë me Greqinë nuk do të ketë integrim në BE për shtetin maqedonas, kritika këto të renditura edhe nga Bashkimi Evropian gjatë samitit.
Selmani theksoi se politikat e qeverisë Gruevski sa i përket aspektit ndëretnik, ekonomik dhe atë integrues janë tërësisht të gabuara, andaj Selmani i bëri thirrje partive në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI të çelin sytë ndaj problemeve të kritikuara nga BE-ja.
Selmani apeloi se e vetmja zgjidhje për të tashmen dhe të ardhmen e Maqedonisë dhe perspektivën e sigurtë evropiane të qytetarëve është largimi i qeverisë së mbrapshtë të Gruevskit.
mit/NOA