Tiranë, 18 dhjetor, NOA - Zgjerimi i BE-së është çështje e zgjerimit të vlerave evropiane dhe më themelorja nga të gjitha është liria dhe solidariteti, toleranca dhe të drejtat njerëzore, demokracia dhe sundimi i ligjit. Kështu mendon prof.dr. Blerim Reka, ish ambasador i Maqedonisë në Bruksel, i cli ka promovuar në Tiranë, librin “Gjeopolitika dhe teknika e zgjerimit të BE-së”. Në fjalën e saj, presidentja e Universitetit Europian të Tiranës, Teuta Dobi theksoi se kjo veper shkencore sjell një vlerë të çmuar pasi në mënyrë të detajuar trajton dhe analizon procesin e zgjerimit të BE-së, duke argumentuar dhe hulumtuar ngjarje të ndryshme dhe të turbullta në procesin e historikut të gjeopolitikës së zgjerimit evropian e në veçanti duke u ndalur edhe në procesin dhe politikën e zgjerimit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor në BE.
Vetë autori i librit, Prof Dr. Blerim Reka shpjegon se procesi i integrimit në BE nuk
është një proces teknik, por para së gjithash është një proces gjeopolitik, brenda të cilit
shteti sovran transformohej në shtet anëtar.
Sa i përket procesit integrues të Maqedonisë autori theksoi se porosia e Brukselit është e qartë, e sikundër tha Reka “këtë e kam dokumentuar me shtatë valët e integrimit përkatësisht të zgjerimit të deritashëm të BE-së, dhe këtë e dëshmojnë edhe rastet e fundit të pengesave që bëhen në procesin e zgjerimit”.
Ai përmendi në këtë kontekst rastin e Kosovës, duke argumentuar se Kosova është viktimë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, duke vërejtur sipas tij se teknika është e rëndësishme për secilin shtet aspirant në BE, por megjithatë procesin e udhëheq gjeopolitika.
Nëpërmjet këtij libri Reka analizon proceset më të rëndësishme që kanë lënë gjurmë
në zhvillimin e gjeopolitikës të zgjerimit evropian dhe duke u ndalur më hollësisht në sfidat, ndërlikimet, perceptimet, diskutimet dhe vendimet politike të zgjerimit apo rrugës së anëtarësimit në Unionin Evropian.
“Ju e shihni se porosia e Brukselit për Maqedoninë është shumë e qartë si për NATO-n po ashtu edhe për BE-në, pa zgjidhjen e kontestit të emrit Maqedonia nuk mund të shpresojë në ecjen përpara”, tha Reka.
Libra të tillë janë të rrallë u shpreh recenzenti i librit Prof Dr, Ylber Sela, i cili theksoi se ky është një gërshetim i përvojës si ambasador, diplomat dhe
personal i autorit Blerim Reka.
Ndërsa, prof.dr Ksenofon Krisafi tha se “Opsionet e paraqitura në liber janë verifikuar si kontribute në zhvillimet rajonale dhe si një hap përpara në parashikimin e liberalizimit të lëvizjes së lirë dhe të konfigurimeve të reja gjeopolitike dhe më gjerë në skemën e sistemit ndërkombëtar”.
Ish- ambasadori shqiptar në SHBA, Fatos Tarifa mori shkas nga trajtimi i interpolaritetit si koncept i ri në libër duke u shprehur pesimist për të ardhmen e BE-së duke përcaktuar si fat të organizatës shpërbërjen e saj, pasi sipas tij roli i fuqive të reja globale në një botë që po ndryshon ishte temë e debateve dhe pikëpamjeve të ndryshme të shfaqura gjatë diskutimit të librit.
Ndërsa ish-ministri i jashtëm Prof. Paskal Milo vuri në dukje se euroskepticizmi në rritje duhet shoqeruar me një perspektivë te qarte te integrimit te rajonit, për të cilën Milo tha se “Botime si ky janë të rralla, që tregon qartë se libri Gjeopolitika dhe teknika e zgjerimit kanë kaluar kufijtë rajonalë”.
Libri “Gjeopolitika dhe teknika e zgjerimit të BE” është ndarë në katër kapituj dhe është vetëm një analizë e procesit të zgjerimit të BE-së në dimensionin e tij gjeopolitik dhe teknik, e bazuar në hulumtimin katërvjeçar, 2006-2010 në Bruksel.
Ky libër nuk është ditar ambasadori, pasi sikundër rrëfen autori për të rrëfyer për diplomacinë, si për komunikim të arkivuar ndërkombëtar, kërkohet një distancë e domosdoshme kohore.
Libri është botuar nga shtëpia botuese e njohur në Bruksel ASPECT.
Prof.dr, Blerim Reka është autor i 16 librave në këto fusha dhe i 60 studimeve shkencore të publikuara në gjuhët angleze, gjermane dhe spanjolle.
mit/NOA